Vetëvendosje e quan qeverisjen në Podujevë “babadimër pa dhurata”

Kosova

Vetëvendosje e quan qeverisjen në Podujevë “babadimër pa dhurata”

Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 16:30
Vetëvendosje

Zyrtarët e lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë i kanë adresuar një varg kritikash në drejtim të pushtetit të kësaj komune. Në një konferencë për media, ata kanë thënë se qeveria në Podujevës është në stilin e “babadimrit pa dhurata” dhe se komunarët janë edhe të korruptuar.

Kryetari i Qendrës së VV-së në Podujevë, Bajram Ajeti, i cili është edhe këshilltar komunal, ka thënë se administrata e kësaj komunë është joprofesionale, ka menaxher me precedent penal, duke aluduar në ish-shefin e personelit, Ahmet Ahmeti, i cili ishte dënuar nga Gjykata Themelore për mosekzekutim të vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës së Apelit për kthimin në punë të një zyrtareje komunale. Sipas Ajetit, moszbatimi i procedurave ligjore e disiplinore, buxheti komunal është dëmtuar për 10.000 €. Për këtë, ka thënë se kanë ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

“Komisionet e rekrutimit, ankesave, auditimi e veçanërisht prokurimi instrumente që janë në ndikim direkt nga kryetari duke mos lejuar që të kryejnë punët në pajtim me procedurat dhe ligjin, parimet si të ligjshmërisë, paanshmërisë në pajtim me përshkrimin e punës dhe ligjin. Mos zbatimin e vendimit gjyqësor edhe kur është i plotëfuqishëm, shkelje flagrante të Ligjit për qasje në dokumente zyrtare, por edhe nenit 40 të Kushtetutës duke mos lejuar qasje në dokumente. Por edhe parimit të transparencës të përcaktuar me Ligjin mbi Vetëqeverisjen Lokale. Edhe për këtë kemi bërë kallëzim penal”, është shprehur Bajram Ajeti në këtë konferenë për media. “Nga Lëvizja u kërkuan 2 kontratat e tenderimit për rrugën ‘Zahir Pajaziti’, njëra për meremetim gropash, tjetra për asfaltimin e rrugës në kohë fushate dhe një nga kryesuesi i Kuvendit se a është marrë vendim për shtrimin e rrugës në fjalë. Për dy të parat nuk u lejua qasje në dokumente dhe për të tretën përgjigjja nga kryesuesi i Kuvendit ishte se nuk është marrë vendim- dyshohet se ka keqpërdorim afro 200.000 euro”.

Ajeti ka folur edhe për mosfunksionalzimin e Spitalit të Përgjithshëm për mosfunksionimin e mamografit, për çështjen e rrugës “Te Xhamia”, që sipas tij, kishte nisur jashtëligjshëm, etj.

Ndërkohë, këshilltarja e kësaj partie, Doruntina Hasani, e ka quajtur qeverisjen e Podujevës babadimër pa dhurata. Sipas saj, duke u bazuar në buxhetin e dedikuar për arsim që është 5.19 për qind, ose 350.000 euro, shihet se ky sektor nuk është parë si prioritet nga strukturat qeverisëse. Ajo ka kritikuar edhe për punësimet partiake nëpër shkolla, për infrastrukturën e dobët të objekteve të dijes, për buxhet të vogël për kulturë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat