Lirohen nga burgu 187 persona në Kosovë

Kosova

Lirohen nga burgu 187 persona në Kosovë

Më: 31 dhjetor 2018 Në ora: 11:45
Burgu i Dubraves

Viti 2018 ka buzëqeshur edhe për shumë të burgosur të cilët kanë mundur të lirohen me kusht gjatë periudhave të ndryshme të vitit

Koordinatori i Panelit për Lirim me Kusht, Bedri Duraku, është shprehur se kanë shqyrtuar këtë vit 452 kërkesa nga të dënuarit.

"Nga 1 janari 2018 deri më 31 dhjetor 2018 ky panel ka pranuar gjithsej 452 raste për shqyrtim për lirim me kusht. Prej tyre janë shqyrtuar gjithsej 410 raste të personave të dënuar si në vijim: Me aktvendim lirues janë 187 raste; Me aktvendim refuzues janë 196 raste; Janë pushuar procedurat e shqyrtimit për 24 raste; Janë hedhur poshtë kërkesat si të papranueshme në 3 raste", tha ai.

Sipas tij, nuk ka pasur probleme gjatë këtij procesi ndërsa ka shtuar se në muajin janar do të shqyrtohen edhe 42 rastet që ngelën nga ky vit.

Ai më tej ka përmendur se pas hyrjes në fuqi të Kodit Penal ka pasur ndikime pozitive edhe në këtë panel.

"Instituti i lirimit me kusht qe nga hyrja në fuçi e Kodit Penal dhe me pas edhe Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale është avancuar dukshëm, këtu vlen të përmendet fakti se personave të dënuar u është lejuar që të kenë qasje më të madhe në brendësi të kritereve të përdorura nga Paneli gjatë vendosjes në kërkesat e tyre. Paneli i Lirimit me Kusht është duke përdorur kriteret e përshtatshme ndaj personave të dënuar me qëllim të korrektimit dhe ri-socializimit të tyre si dhe është duke ndikuar pozitivisht në procesin e riintegrimit të personave të dënuar në familje dhe rrethin shoqëror", thekson Duraku.

Sipas ligjeve të Kosovës një i dënuar për vepër penale për të cilën është paraparë dënim me të paktën pesë vjet burgim, mund të lirohet me kusht pasi të ketë mbajtur dy të tretat e dënimit të shqiptuar. Për vepra tjera penale, personi i dënuar mund të lirohet me kusht pasi të ketë mbajtur gjysmën e dënimit të shqiptuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat