Reçica shpërndan dhurata për fëmijët me aftësi të kufizuara

Kosova

Reçica shpërndan dhurata për fëmijët me aftësi të kufizuara

Më: 31 dhjetor 2018 Në ora: 12:50
Reçica shpërndan dhurata për fëmijët me aftësi të kufizuara

Në ditën e fundit të vitit 2018, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica ka shpërndarë dhurata për fëmijët me aftësi të kufizuara në Handikos.

Reçica pas shpërndarjes së dhuratave tha se me këtë veprim po duan të tregojnë përkushtimin që e kanë ndaj këtyre kategorive.

Reçica: Të tregojmë përkushtimin që e kemi ne si institucione

"Të tregojmë përkushtimin që e kemi ne si institucione ndaj këtyre kategorive. Ky angazhimi yni i sotëm është vetëm një obligim i vogël që ne kemi karshi këtyre fëmijëve që në këtë ditë të fundit të këtij viti t’i gëzojmë duke i vizituar dhe duke iu treguar atyre se ne do të vazhdojmë me përkushtim të punojmë që mirëqenia e tyre të ngritet", tha ai.

Ministri Reçica përmendi ligjin gjithëpërfshirës, që sipas tij, me miratimin e tij do të avancohen të drejtat e këtyre kategorive.

Reçica: Ta nxjerrim një ligj i cili do të avancojë të drejtat e këtyre kategorive

“Ne tashmë e kemi miratuar në Qeveri koncept dokumentin nga i cili do të buron ligji gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuara. Unë mendoj që kjo është e mirë për të gjithë qytetarët, po në veçanti edhe për ju prindër, familjarë të fëmijëve në këtë rast me nevoja të veçanta... do të kemi mundësi që në hartimin e ligjit gjithëpërfshirës që do ta kemi në agjendën legjislative për vitin 2019, ta nxjerrim një ligj i cili do të avancojë të drejtat e këtyre kategorive. Një ligj i cili do të na lehtësoj ne si institucione që të jemi sa më afër tyre", u shpreh ministri.

Ndërkaq, drejtori i Handikos-it, Afrim Maliqi, tha se ndjehen të nderuar nga vizita dhe dhurata që ministri ka bërë për fëmijët e Handikos-it.

Maliqi: Ndjehemi të nderuar që kemi ministrin këtu

"Me të vërtet ndjehemi mirë sot dhe ndjehemi të nderuar që kemi ministrin Reçica më prezencën tonë. Unë konsideroj që është një ndër ministrat më të merituar në Qeverinë e Republikës së Kosovës me vet faktin që ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në fillimin e zbatimit të ligjit për statusin dhe të drejtave të personave paraplegjikë dhe tetraplegjik. Njëkohësisht edhe me miratimin e ligjit gjithëpërfshirës i cili do të filloj punën qysh nga viti i ardhshëm, e viti i ardhshëm veç na erdhi", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat