Kush është njeriu që bëri thirrje për herë të parë që shqiptarët të mos shërbejnë në APJ

Kosova

Kush është njeriu që bëri thirrje për herë të parë që shqiptarët të mos shërbejnë në APJ

Më: 3 janar 2019 Në ora: 16:25
Ylber Durmishi

Shumë kohë në burg, rrahje, maltretime e të hequra për një të ri, vetëm pse ishte shqiptar dhe i ditur, prandaj konsiderohej dy herë i “rrezikshëm” për pushtetin e atëhershëm.

I “rrezikshëm”, për shkak të veprimtarisë dhe qëndresës së tij dinjitoze dhe i “rrezikshëm”, sepse i përkiste një etnie autoktone në këto troje, shpirti i të cilit kishte mësuar se dashuria për atdheun është mbi gjithçka.

Ata të cilët e njohin mirë, thonë se ‘Ai dhe Kosova janë Një’. Njëri pa tjetrin nuk shkojnë, sepse Kosova Atij i dha jetën dhe nderin, ndërsa Ai Kosovës veten.

Ky është Ylber Durmishi, djali nga Rakinica e Drenicës së Adem Jasharit, i cili me vizionin e tij largpamës iu parapriu ngjarjeve historike, dëshmitarë të të cilave jemi sot.

Përveç studimeve në lëndën e fizikës, Durmishi ka specializuar në fushën e gazetarisë dhe ka mbaruar studimet e shkallës së tretë të shkencave të sigurisë. Sot jeton i lumtur me bashkëshorten dhe katër fëmijë në qytetin e Mitrovicës.

Në një intervistë për kp, Durmishi pretendon se është i pari që para gati 30 vitesh ka bërë thirrje publike që të rinjtë shqiptarë të mos shërbejnë më në armatën ish-Jugosllave, por të jenë pjesë e ushtrisë së Kosovës, që sipas tij duhej të formohej sa më parë.

Këtë e konfirmon edhe një video e publikuar para pak ditësh në faqen e tij të Facebook-ut, ku shihen mijëra qytetarë pjesëmarrës në varrimin e Fatmir Tafaj nga Grejkoci i Suharekës, i cili më 1990 u vra në njërën prej kazermave të Sisakut në Kroaci.

Durmishi: Tani e tutje të shërbejmë vetëm në Armatën Popullore të Kosovës

“Vdekja tragjike edhe e një ushtari shqiptar në Armatën Popullore të Jugosllavisë është edhe një gur i hequr nga kalaja e popullit shqiptar. Asnjë ushtar më i Serbisë dhe as i Jugosllavisë. Dëshirojmë që tani e tutje të shërbejnë vetëm në Armatën Popullore të Kosovës”, shprehet Durmishi.

Sipas Durmishit, kjo ka qenë hera e parë që dikush publikisht ka bërë thirrje që të rinjtë shqiptarë të mos shkojnë më në Armatën e Jugosllavisë ose të Serbisë, por të shërbejnë në Armatën e Kosovës. Ai bëri të ditur se nga ajo ditë, asnjë shqiptar më nuk ka shërbyer në ushtrinë e Jugosllavisë.

Durmishi: Kam menduar se pas kërkesës sime, menjëherë e themelojmë ushtrinë

“Në ndërkohë vriteshin shqiptarët ushtarë gjithandej. U vra Xhevdet Aruçaj në Rrezallë, pastaj në Llaushë dhe gjithandej. Në ndëkohë u vra edhe Fatmir Tafaj në Grejkoc të Prizrenit. Në atë kohë kur ndodhte ndonjë ngjarje si ky rast, i madh e i vogël nga Kosova merrnin pjesë në varrime…Isha i obliguar ta lexoja telegramin ku thuhej ‘Edhe një ushtar i vdekur në Armatën e Jugosllavisë, edhe një gur i hequr nga kalaja shqiptare.  Aty bërtas duke bërë thirrje, ‘asnjë ushtar më për Jugosllavi as për Serbi. Nga sot do ta themelojmë ushtrinë e Republikës së Kosovës’…Ka qenë hera e parë që dikush ka bërë një thirrje të tillë, jam i sigurt . Unë kam menduar atëherë se pas kërkesës time, menjëherë e themelojmë ushtrinë, kapim armët dhe i dalim zot atdheut…Nga ajo ditë asnjë shqiptar nuk ka shkuar më në ushtri të Jugosllavisë, disa ikën … Jam krenar që gati pas 30 viteve ëndrra p ër të cilën kam bërë thirrje dikur, të realizohet në vepër dhe të kemi ushtrinë.”, ka thënë Durmishi. 

Ai vazhdon rrëfimin duke thënë se si student i Shkollës së Lartë Pedagogjike drejtimi fizikë-kimi në Prizren, bie në kontakt me profesorin dhe veprimtarin tashmë të ndjerë Xhemajli Berisha, por edhe me disa shokë tjerë, me të cilët vazhdon aktivitetet patriotike, duke organizuar demonstrata nëpër qytete të Kosovës, në shenjë solidarizimi me grevën e minatorëve.

Durmishi: Brenda ditës kam organizuar demonstrata në Prizren, Drenas, Skenderaj dhe Mitrovicë

“Ishte greva e minatorëve me të cilët jemi solidarizuar. Një natë para se me fillu aksionin, unë së bashku me një shok nga Gjakova, Kujtim Berisha, vendosëm që nesër mos të lejojmë mbajtjen e mësimit fare. Kështu vendosëm të organizojmë protesta dhe demonstrata.…Më kujtohet shumë mirë kur njëri prej profesorëve pati ardhur me biseduar me neve duke provuar me na bindë se Kosova nuk humb asgjë me ndryshimin e kushtetutës. Aty e kam përzënë profesorin, shihet fare mirë nëpër incizime sepse ka pasur kamera, dhe nuk kam dashur të komunikoj …Sa i përket demonstratave dua të përmend vetëm një rast që më kujtohet kur brenda ditës kam organizuar demostrata në Prizren, Drenas, Skenderaj dhe Mitrovicë. Unë i kam ndezur ato, i kam nisur ”, theksoi Durmishi.

Ai tregon  për arrestimet dhe maltretimet që i janë bërë për shkak të organizimit të demonstratave, të formimit të organizatës Ilegaliteti, të pjesëmarrjes së tij aktive në pajtimin e gjaqeve së bashku me Anton Çetën, por edhe për shkak të ushtrimit të punës së gazetarit gjatë asaj kohe.

Durmishi: Polici shqiptar më tha: Veç vazhdo kështu, se s’kanë çka të bëjnë

“Më kanë lidhur për radiatorët. Kanë qenë një malazez një serb dhe një shqiptar, kurrë s’e harroj. Kanë filluar të më maltretojnë për shkak të pjesëmarrjes time në të gjitha demostratat, për udhëheqjen time me studentët rreth grevës së minatorëve, kërkesat që i kam shkruar, dhe kështu më kanë maltretuar deri në mëngjes… Një polic shqiptar më mbante revolen tërë kohën të drejtuar nga unë. Sot kam dëshirë shumë ta takoj atë njeri, i cili më pati thënë ‘Veç vazhdo kështu, se s’kanë çka të bëjnë… E luta a ma heq revolen që ma ke drejtuar, më tha nuk guxoj por paskam pasur fat të keq që unë të jem pikërisht sonte kujdestar... Më çonin në izolim, do të thotë në vetmi… Unë isha 18-19 vjeçar, nuk e di, më thonin se kam qenë në Shqipëri dhe se jam betuar para varrit të Enver Hoxhës, unë ju thosha ku me mujt me shku, nuk isha kthyer kurrë, sepse ëndërr e kam pasur me shkel ndonjëherë në Shqipëri”, sqaroi Durmishi.

Ai rrëfen edhe një ngjarje interesante kur së bashku me vëllain e tij, disa shokë dhe dy oficerë shqiptarë, kishin planifikuar ta marrin nën kontroll kazermën ushtarake në Prizren përplot me ushtarë jugosllavë.

Durmishi: Planifikonim qysh me marr kazermën

“Ka qenë Xhevat Zeqiri nga Gllogjani, Xhaviti vëllai im si dhe disa të tjerë, dhe planifikonim qysh me i ra kazermës së Prizrenit me marr në dorë… E pamë se nuk kemi kapacitet. Dëshirë po, por nuk kishim njerëz. Kemi shpërndarë material të llojllojshëm, por ne dëshironim përnjëherë me ndodhë. Mirëpo, Avniu dhe Lulëzimi, të dytë oficerë shqiptarë në kazermën e Prizrenit, të dytë patriotë, të cilët i përshëndes kudo që janë, ata ishin të gatshëm të organizojnë për ta marr kazermën në kontroll. Ne nuk i dinim as pasojat çka do të ndodhë me neve“, ka thënë  Durmishi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat