Rafal plumbash mbi largpërçuesin, rreth 2000 familje mbeten pa rrymë në Vushtrri

Kosova

Rafal plumbash mbi largpërçuesin, rreth 2000 familje mbeten pa rrymë në Vushtrri

Më: 3 janar 2019 Në ora: 16:49
Ilustrim

KEDS-i njofton se një ngjarje aspak e këndshme ka ndodhur në Nadakovc të Vushtrrisë, më 29 dhjetor, ku persona të pandërgjegjshëm kanë gjuajtur me armë në një shtyllë metalike të tensionit të lartë.

Ata kanë shkrepur rreth 15 plumba, gjysma nga të cilët kanë përfunduar në kabllot e energjisë elektrike, ndërsa gjysma tjetër në një tabelë për tregim të rrezikut, të cilën duket se e kanë përdorur si tabelë qitjeje, thuhet në komunikatë.

Si pasojë e gjithë kësaj, për një kohë rreth 2000 familje të asaj ane kanë mbetur pa energji elektrike, pasi ishte goditur largpërçuesi Maxhunaj. Fatmirësisht kishte kapacitete të lira dhe mundësi të lidhjes së konsumatorëve në largpërçuesin tjetër, atë të Nadakovcit.

Ekipet e KEDS-it kanë dalë menjëherë në terren dhe kanë arritur tek sot ta identifikojnë prishjen dhe ta sanojnë menjëherë ata.

KEDS apelon te të gjithë qytetarët të kenë kujdes ndaj akteve të tilla dhe të lajmërojnë menjëherë ekipet e KEDS-it dhe organet e rendit.

Ndërkohë, njoftohet se furnizimi me energji elektrike në vend është stabil dhe pa ndërprerje, me përjashtim të Istogut, ku si pasojë e erërave të forta ka pasur prishje, për sanimin e të cilave tashmë kanë dalë në terren ekipet përkatëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat