Kurti për kp: Uroj ta mbani lart standardin e krijuar deri më tash

Kosova

Kurti për kp: Uroj ta mbani lart standardin e krijuar deri më tash

Më: 4 janar 2019 Në ora: 11:51
Albin Kurti

Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti ka uruar 20 vjetorin e themelimit të Agjencisë së Pavarur të Lajmeve, KosovaPress.

Kurti duke njohur standardin e gazetarisë profesionale të krijuar deri më tani në KosovaPress, ka uruar që ky standard të mbahet lart edhe më tutje.

Duke kujtuar 4 janarin e ftohtë të vitit 1999, Kurti vlerëson se zemrat u ngrohën nga themelimi i KosovaPress-it, po ashtu edhe nga ai i Radios “Kosova e Lirë”.

Publikimi i plotë i Kurtit:

Janari i vitit 1999 ishte shumë i ftohtë e me acar. Edhe minus 17 gradë celsius shkoi temperatura e ultë para 20 dimrave. Mirëpo, në datën 4 janar 1999 seç na i ngrohu zemrat e mendjet themelimi i Radios "Kosova e Lirë" dhe i agjencisë së lajmeve "KosovaPress". Në njërën anë, shqiptarët por edhe të huajt mund të merrnin imformacion të dorës së parë nga zonat e luftimeve. Në anën tjetër, UÇK-ja po forcohej me një shtyllë të re përgjatë ngritjes së saj.

Zyra e UÇK-së në Prishtinë dhe këto dy medie të UÇK-së bashkëpunuan ngushtë. Përfaqësuesi i Përgjithshëm Politik i UÇK-së, Adem Demaçi, si dhe Shefi i Shërbimit për Informim të kësaj Zyre, Bajrush Behrami, u ndanë fizikisht nga ne në vitin 2018 që porsa lamë pas.

Hidhërimi për humbjen e tyre bashkëjeton në zemrat tona me krenarinë e kujtimeve të asaj kohe, që na përditësohen kur festojmë përvjetorë të rëndësishëm, si ky i sotmi, 20-vjetori i agjensisë së lajmeve KosovaPress. KosovaPress u rrit e u profesionalizua dhe u bë një adresë serioze për informacionin e saktë, shumë e nevojshme sot kur jemi të rrethuar nga lajmet e rrejshme e portalet abuzive.

I uroj KosovaPress-it edhe shumë dekada të tjera të suksesshme, dhe gazetarëve që punojnë aty, u uroj ta mbajnë lart standardin e krijuar deri më tash prej tyre e prej paraardhësve të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat