Rrëfehet nëna e tre fëmijëve që duroi dhunën nga burri e familja e tij për 9 vjet

Kosova

Rrëfehet nëna e tre fëmijëve që duroi dhunën nga burri e familja e tij për 9 vjet

Më: 7 janar 2019 Në ora: 13:53
Foto ilustrim

Një numër i madh i kosovareve po vazhdojnë të jetojnë për vite me radhë në presionin e dhunës fizike e psikike. Ato, këtë sakrificë e durim po thonë që e bëjnë vetëm hatri i fëmijëve, e numri i dhunuesve vetëm se ka pësuar rritje. Media ka biseduar me njërën nga viktimat, që ka duruar dhunën për plot 9 vjet.

Është vetëm 32-vjeçe, e për një pjesë të madhe të jetës ajo nuk ka kujtime të mira. Periudha që do të duhej të ishte më e veçanta e jetës së saj, nuk i doli e tillë. 

U martua me mësitni ndërsa nga ajo martesë duroi për shumë vite dhunë fizike e psikike.

Por, dhuna nuk i erdhi vetëm nga personi me të cilin shpresonte ta kalonte jetën. 

Prishtinasja (emri i të cilës nuk është zbuluar për arsye sigurie), u rrah për 9 vjet sa pati martesë nga burri, e prindërit e tij. 

Media ka biseduar me viktimën e dhunës në familje nga ku e njëjta ka rrëfyer për jetën me dhunuesit, durimin vetëm për t’u qëndruar afër fëmijëve, jetën larg tyre në strehimore, e mendimin për t’u rikthyer prapë në atë familje, në rast se nuk i lejohet t’i rrisë vetë fëmijët. 

Gjithçka kishte filluar kur atë e kishin martuar me një djalë të cilin nuk e njihte mirë, madje e kishte parë vetëm një herë. 

Si ishte zakon dikur te shqiptarët, atë e kishin martuar me mësitni e krejt kjo kishte ndodhur për një periudhë të shpejtë. 

Nuk kishte vonuar shumë, e pas dhunës psikike që i kishin ushtruar, martesa e saj ishte kthyer në diçka tjetër, dhunë fizike, e kërcënime për ndarje, sepse familja e burrit e dinte se kjo do të thoshte se nëse ndahej ajo do të mbetej në rrugë, sepse 32-vjeçja nuk e kishte as përkrahjen e familjes së saj.

Ajo e kujton mirë atë kohë, pasi që në ditën kur u rrah ishte edhe shtatzënë, e u detyrua të ikte për në polici nga një dritare e vogël e banjës së asaj shtëpie. Atë e kishin rrahur burri edhe vjehrri.

“Kam dashtë me ikë, kam hi në banjo edhe kam ikë për xhami të banjos. Kam shku në polici e rrehtë. Kam ikë si në filma, shkurt e shqip, kam kcy për xhami. Shtatzanë kam qenë atëherë”, rrëfen ajo.

Pas kësaj, për herë të parë qe dërguar për në strehimore, aty pas një kohe vetëm kur do të informoheshin se ajo ishte shtatzënë do t’i merrte vizitat e para, aspak miqësore.

Shpresë pati se do të gjente strehë te familja e saj, por kjo nuk ndodhi. 

“Kur u takova me nanën ajo s’ma ka jep dorën, po më ka mshu para krejtve. Mtha s’ke nejt mirë te burri, duhet me ungj krytë e me duru çka të thotë burri. Ti s’ekziston për mu, më ka thanë nana. Linde më tha këtë fëmijë edhe gjuje e ti bën çka dush”, i kishte thënë nëna vajzës së saj, teksa po e vizitonte në strehimore pasi që mbi të ishte ushtruar dhunë nga dy persona. 

Megjithatë, ajo nuk deshi ta abortojë fëmijën, e vendosi që për të ta mendonte edhe një herë rikthimin te burri, pavarësisht asaj se çka kishte ndodhur. Familja e burrit thotë se ia kishin kërkuar fëmijën që ta rrisin ata vetë, por ajo nuk ishte pajtuar. 

Kështu kishin vazhduar jetën e tyre, në skamje e ndihma sociale, pastaj dhuna kishte vazhduar. 

Ajo kishte lindur edhe dy fëmijë të tjerë, e edhe ata ishin dëshmitarë të asaj se çka po i ndodhte nënës së tyre, e shpeshherë edhe ata cak i dhunës. 

“Vjehrri më ka rreh dy tri herë. Disa muj pata qëndru në spital se fëmijët i pata të smutë, askush as prej familjes burrit as prej familjes babës nuk ka ardhë asnjëherë me m'pa, njerëzit në spital më kanë ndihmu. Kur shkova në shpi ju thashë lemni rahat me fëmijë të mi. Më mshoj tana vjehrri edhe burri. Durtë i kam pas krejt gjak, e lajmërova policinë, i thojshin policisë kjo i ka bo vetë shenjat. I thojsha, këta janë kam ushtrojnë dhunë nuk o ky rasti i parë”, vazhdonte ajo, duke thënë se pas këtij rasti kishte lajmëruar familjen e saj. 

“Mas këtij rasti e thirra familjen tem ose hajdi ose unë kam me bo najsen që s'duhet hiç, atyne s'ju interesojke e mshelshin telefonin, se me pas kanë prindë qysh duhet, unë nuk kisha shku 100 herë në polici. I mora fëmijët e ika”. E të njëjtën prapë e kishin bindur që të kthehej në familje pasi që burri deklarohej në polici se më nuk do të përsëritej dhuna. 

Por, historia ishte përsëritur. Atë kohë, prindërit e burrit, që tashmë po jetonin në një shtëpi tjetër, po tentonin t’ia merrnin fëmijët duke i joshur me gjëra të ndryshe, siç pretendon viktima, pasi që e njëjta kishte kushte të këqija ekonomike. 

“Mi mashtrojshin fmitë se këta i kanë pas kushtet ma të mira se na. Deshta atë ditë me marr çikën te na me hangër bukë. Vjehrra ma kapi burrin prej fyti, unë kesh shtatzanë atëherë, kur shkova edhe unë më ka kapë mu për floksh më ka ngre zhag deri në sokak, aty kam abortu. Fmitë m'i rrehi, çikën për floksh, djali më ka mbet me trauma rrafsh dy muj ditë”, shton ajo. 

Megjithëse, një kohë familja e burrit kishin urdhër ndalim për t’iu afruar asaj të viktimës, atëherë nuk kishin pasur shumë probleme.

Ato kishin nisur përsëri deri kur viktima ishte detyruar të kërkojë strehim, tash për të dytën herë.

“Kena pas mosmarrëveshje, dhunë, i lajmërova policinë s'kanë bo kurgjo edhe jam dalë, se s'po t'ndihmon kërkush. Edhe në polici më thojshin ec ec se sen s'ki. Nonstop i kam ment te fëmijët, s'di qysh me ja bo, s'e kam as unë lehtë po çka me ba”, thotë ajo, e fëmijët ka kohë që nuk i ka parë.

Për tre fëmijët e saj, thotë se do të sakrifikohej edhe njëherë. “Isha kthy prapë në familje për hatër të fëmijëve se s'muj pa ta, ata i kam gjithçka edhe s'du me i hup.”

Në familjen e saj thotë se i kanë thënë që nga fillimi: “Kam tentu me u kthy te familja ime, po s’më kanë pranu, me arsyetimin se tash jam martu, keshin gjinja me mu, u nda çika e filanit”, shton ajo, duke falënderuar për fund ata që e strehuan tash e sa muaj, e po mundohen t’i gjejnë një zgjidhje. 

Strehimorja që rrezikonte të mbyllej, ka strehuar viktimën që duroi dhunë për 50 vjet 

Zana Hamiti- Asllani, drejtoreshë e strehimores së grave në Prishtinë, thotë për express se me gjithë sfidat financiare ky institucion do të vazhdojë edhe më tutje punën. 

Strehimorja në të cilën ajo udhëheq, është e para në Kosovë dhe është themeluar në vitin 1993.

“Këtë vitin e fundit kemi pas kriza financiare. Me 1 qershor të vitit 2018 jemi licencu prej ministrisë dhe na kanë përkrahë me një buxhet prej 15 mijë eurove. Projekti ka qenë për tetë muaj. Kriza ka qenë për me u mbyll strehimorja pasi fonde nuk ka, por ndërkohë janë mbledhur fonde nga bashkatdhetarët tanë në Londër me një shumë të konsiderueshme prej 10 mijë e 630 funteve kështu që tani ne si strehimore e Prishtinës nuk e kemi krizën e mbylljes”, deklarohet Hamiti-Asllani. 

Drejtoresha thotë se viktimat janë të regjionit të Prishtinës dhe në strehimore kanë këto kushte. 

“Kanë ushqim, veshmbathje, kontrolle gjinekologjike, shpenzimet edhe jashtë në gjykata kur ka nevojë përcjellje, deri në zgjidhje të problemit qëndrojnë këtu. 19 raste kemi kapacitet me i pranu menjëherë. Ka edhe gra me fëmijë kish qenë mirë me i përmend si sfidë vijimi i shkollimit që duhet me e bo një marrëveshje me drejtorinë e arsimit në komunën e Prishtinës që fëmijëve mos me ju mohu e drejta e shkollimit. Shpesh herë viktimat sakrifikohen kthehen në familjen ku kanë pas dhunë shkaku i fëmijëve mos me jau hup të drejtën e shkollimit”, shton ajo.

Në këto vite që ka qenë pjesë e strehimores, ajo shton se pavarësisht se të gjitha rastet kanë specifikat e tyre, njëri i ka mbetur në kujtim më gjatë. “Rasti ndoshta kish me qenë nuk është edhe shumë kohë që ka kalu që ka qenë e strehume, është rasti i një gruaje që ka përjetu dhunë për 50 vite. Rast me të vërtetë që ka qenë më specifik prej tjerve. Secili rast është specifikën e vet, por ky rast ka qenë që ka përjetu dhunë aq gjatë edhe e ka duru”, shton ajo, duke përfunduar se vetëm në periudhën qershor dhjetor të vitit 2018’të, në këtë qendër janë strehuar 55 raste. 

Dhuna në familje, në rritje 

Sipas statistikave që policia e Kosovës, bëhet e ditur se për dallim nga viti 2017, dhuna në familje këtë vit ka pasur rritje. 

“Në vitin 2017, numri i rasteve të dhunës në familje të raportuar në polici është 1269. Viktima (vajza, gra) si pasojë e dhunës në familje për vitin 2017 janë 958, viktima meshkuj si pasojë e dhunës në familje për vitin 2017 janë 261”, thuhet në statistikat e policisë. 

Ndërkaq, vitin që e lamë pas, numri i rasteve të raportuara ka pësuar rritje. “Numri i rasteve të dhunës në familje të raportuar në polici gjatë vitit 2018 është 1496. Viktima (vajza, gra) si pasojë e dhunës në familje për vitin 2018 janë 1016, viktima meshkuj si pasojë e dhunës në familje për vitin 2018 janë 265.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat