KEDS: Mungesa e ngrohjes në Prishtinë, si pasojë e një defekti në asetet e Termokosit

Kosova

KEDS: Mungesa e ngrohjes në Prishtinë, si pasojë e një defekti në asetet e Termokosit

Më: 7 janar 2019 Në ora: 18:12
Foto ilustrim

Qytetarët e Prishtinës sot janë përballur me mungesë të ngrohjes, ndërsa KEDS njofton se sot pas mesnate, konkretisht rreth orës 00:40 ka ndodhur një prishje në asetet e Termokosit.

Konkretisht, prishja ka ndodhur në ndërprerësin dhe kabllot që e furnizojnë këtë ndërmarrje, që të dyja në pronësi të kësaj ndërmarrjeje. Kjo ka bërë që tërë nënstacioni një kohë të shkurtër të jetë pa energji elektrike. 

Sipas KEDS-it, nuk bëhet fjalë për asnjë ndërprerje nga ana e KEDS-it, por për prishje në asetet e një ndërmarrje tjetër. 

“KEDS ka njoftuar menjëherë Termokosin dhe konsumatorët tjerë se çka ka ndodhur. Duke e ditur ndjeshmërinë, KEDS i ka dale menjëherë në ndihmë kësaj ndërmarrje dhe ka dërguar ekipet për të sanuar prishjen. 

Ekipet tona kanë arritur ta rikthejnë energjinë për Termokosin rreth orës 05:00 të mëngjesit. Por, linja prapë  ka filluar të shkaktojë probleme dhe KEDS është dashur të intervenojë sërish pak para orës 13:00 deri në ora 14:00, kur janë zëvendësuar pajisjet e dëmtuara.  

Kjo nuk është hera e parë që po paraqiten prishje në kabllot e Termokosit. Aty kanë dy linja 10 kV (kilovolt) që e furnizojnë këtë ndërmarrje, pra 6 kabllo. Ato kabllo janë të dëmtuara nga vet punimet e Termokosit”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat