Të mobilizohemi të gjithë për një Kosovë EKO

Kosova

Të mobilizohemi të gjithë për një Kosovë EKO

Më: 10 janar 2019 Në ora: 13:30
Ramush Haradinaj

Konferenca përmbyllëse e fushatës ‘ Ta pastrojmë Kosovë’ ka mbledhur sot zyrtarë të Qeverisë, kryetarë të Komunave, vullnetarë e shumë pjesëmarrës të tjerë.

Angazhimi i madh i qytetarëve të  Kosovës përgjatë 3 muajve pastrim  u vlerësua lartë nga të gjithë pjesëmarrësit, ndërsa  u tha se është edhe njëri ndër faktorët kyç që Kosova  të menaxhojë  Ditën e Pastrimit të Botës për vitin 2019, e cila do të mbahet më 21 shtator, në Ditën Botërore të Paqes.

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, i cili që në fillimet  e saj ishte mbështetës i idesë për pastrimin e Kosovës, bëri thirrje që të gjithë bashkërisht  të angazhohemi për një vend më të pastër dhe të dinjitetshëm për të jetuar.

Ai tha se duhet të jemi të mobilizuar për një Kosovë EKO.

Haradinaj: Të bëhemi bashkë për një Kosovë EKO

“Nuk mund të pajtohem që në vitet e ardhshme të hidhet bërllok. Nuk guxojmë të lejojmë që të hedhen deponi të reja.  Do të mobilizohemi së bashku me ju dhe me institucionet e vendit, edhe me policinë edhe me Ministrinë e Ambientit, komunat.. duhet ta gjejmë një zgjidhje për riciklim të mbeturinave. Është e pamundur ta mbajnë Kosovën e pastër nëse e vetmja alternativë është  ‘gjuje dikund’. Duhet të fillojmë krahas vetëdisjimit që është i nevojshëm, krahas mobilizimit qytetar e  institucional, krahas politikave ndëshkuese kur ndodh me hedh bërllok jashtëligjshëm, pra të mendojmë për një opsion real për riciklim të mbeturinave... të rrimë bashkë për një Kosovë të pastër, për një Kosovë EKO”, tha Haradinaj.

E drejtori ekzekutiv i ‘Let’s Do it Kosova’ Luan Hasanaj,  tha se vullnetarizmi i qytetarëve përgjatë 3 muajve për të pastruar ambientin ku jetojnë, tregon se aty ku ka atdhedashuri, qytetarët janë të gatshëm të përgjigjen.

Hasanaj njoftoi se këtë vit do të jenë rreth 1 mijë kujdestarë të angazhuar nëpër komunat e Kosovës në monitorim të ruajtjes së mjedisit.

Hasanaj: Kur tregojmë atdhedashuri, qytetarët përgjigjen

“200 mijë njerëz për 3 muaj kanë dalë kanë pastruar mbetje. Kjo do të thotë se kur kemi  vullnet, kur ne tregojmë atdhedashuri në veprime konkrete, qytetarët përgjigjen... Ajo çfarë dua të them është se do të vazhdojmë me aktivitete tjera, pra fushata ‘Ta Pastrojmë Kosovën’ nevoja për  t’u kujdesur për mjedisin nuk përmbyllet sot.. ne bashkërisht vazhdojmë. Jemi dakorduar edhe me kryeministrin që në këtë vit do të angazhohen 1 mijë kujdestarë mjedisi  të cilët do ta ndihmojnë edhe komunën edhe ndërmarrjen edhe të gjithë neve që vendin tonë ta kemi më të pastër”, tha Hasanaj.

Ndërsa Ministri i Mjedisit dhe Planfikimit Hapësinor Fatmir Matoshi, tha se gjatë vitit 2019 do të ketë zbatim të plotë të udhëzimit administrativ, në atë mënyrë që të ndëshkohen me gjoba të gjithë ata që provojnë ta dëmtojnë ambientin.

Matoshi premtoi se do të krijohet edhe infrastruktura e nevojshme për grumbullimin e mbeturinave, derisa njoftoi se rreth 7 milionë euro të dhuruara nga GIZ-i do të shpërndahen nëpër komunat e Kosovës përgjatë 3 vitesh për një mjedis sa më të shëndetshëm. Matoshi tha  se angazhimi i rreth 10 përqind të qytetarëve të Kosovës për të pastruar vendin, ka ndikuar që Kosova të akreditohet nga organizata ndërkombëtare ‘ Let’s Do It World’.

Matoshi : Angazhimi i qytetarëve kreditoi Kosovën në ‘Let’s Do It World’

Kështuqë  do të kujdesemi që gjatë vitit 2019 të kemi një zbatim të plotë të udhëzimit administrativ.. infrastrukturë të nevojshme për grumbullimin e mbeturinave Tashmë kemi nënshkruar një marrëveshje me GIZ-in, 7 milionë euro që do të shpërndahen përgjatë 3 viteve në formë granatesh për Komunat e Kosovës  në fushën e grumbullimit dhe të menaxhimit të mbeturinave Kemi një grant të ndarë si Ministri e Mjedisit  prej 1.2 milionë eurosh për vitin 2019...Sot Kosova është shumë me pastër se Maqedonia  dhe më e pastër sesa vendet e tjera fqinje por ende nuk jemi mjaftueshëm vend i pastër. Ky angazhim  i rreth 10 përqind i qytetarëve të Kosovës ka ndikuar që ‘Let’s  Do It World’ të akreditojë ‘Let’s Do it Kosova’  dhe vendin tonë për të menaxhuar  Ditën e Pastrimit të Botës për vitin 2019. Kjo do  të ndodhë më 21 shtator 2019 që është edhe Dita e Paqes”, tha Matoshi.

Ndërsa përfaqësuesja e  Lets Do It Word Heidi Solba, ka vlerësuar lart punën e ekipit të ‘Let’s Do It Kosova’ . Ajo tha se ky ekip ka arritur një sukses fantastik sa i përket kampanjës vetëdijësuese, në të cilën janë përfshirë një numër aq i lartë i qytetarëve, duke i bërë ata të besojnë se ndryshimi është i mundur.

Solba shtoi se është shembull për botën se si ka funksionuar në Kosovë bashkëpunimi me qytetarët, andaj sipas saj me plotë meritë Kosova do të jetë kryesuese e Ditës së Pastrimit në të cilën marrin pjesë më shumë se 150 shtete të botës.

E komandanti i FSK-së gjeneralejtnat Rrahman Rama,  ka siguruar qytetarët e Kosovës se FSK-ja  do të jetë gjithmonë aty ku janë nevojat e qytetarëve.

Rama: Do të jemi në shërbim të çdo aktiviteti në të mirë të qytetarëve

Gjithçka që është e mirë për qytetarët, ne do të jemi në shërbim të qytetarëve . ne kemi qenë pjesë e këtij aktiviteti.. Ta pastrojmë Kosovën është vetëm fillimi dhe unë mendoj që ne duhet të vazhdojmë  dhe të gjitha aparatet shtetërore duhet të jenë pjesë e kësaj  sepse jemi duke bërë diçka të mirë për vetveten për familjen tona për edhe për të gjithë qytetarët. Sot e siguroj kryeministrin dhe të gjithë të tjerët se në çdo aktivitet që është në të  mirën e qytetarëve ne do të jemi në shërbim”,  tha Rama.

Në këtë konferencë është  bërë edhe shpallja e komunave fituese të grantit 1.2 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat