Më shumë se 50 gra në vit preken me kancer të mitrës

Kosova

Më shumë se 50 gra në vit preken me kancer të mitrës

Më: 11 janar 2019 Në ora: 15:29
Foto ilustrim

Për një vit në Kosovë më shumë se 50 gra preken me kancer të qafës së mitrës. Te sëmundjet e kancerit, kjo është e dyta për nga numri që prek gratë, pas kancerit të gjirit. Edhe vdekshmëria është e lartë, sipas profesionistëve shëndetësorë, nëse sëmundja avancon.

Por, nëse kanceri i qafës së mitrës zbulohet me kohë, thuhet se ai është 100 për qind i shërueshëm.

Në Klinikën Onkologjike brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, onkologu Arben Bislimi i tha Radios Evropa e Lirë se nga viti në vit, numri i grave që preken me kancer të qafës së mitrës është pothuajse i njëjtë.

“Muaji janar njihet si muaj i parandalimit të kancerit të qafës së mitrës. Në bazë të statistikave që kemi në Klinikën e Onkologjisë, kanë qenë 55 raste me këtë sëmundje, derisa në vitin 2017 kanë qenë 61 raste. Nëse e përpjesëtojmë për muaj, janë diku rreth 5 raste të reja në muaj. Është kanceri i dytë më i shprehuri pas atij të gjirit dhe vdekshmëria është mjaft e lartë”, tha Bislimi.

Ndërkaq, drejtoresha e Klinikës Gjinekologjike, Myrvete Paqarada bëri të ditur se shumica e rasteve që lajmërohen në Klinikë me kancer të qafës së mitrës, janë në faza të avancuara.

Ajo potencon faktin se pos tjerash, kjo sëmundje zbulohet edhe me një test, që në mjekësi njihet si ‘pap-test’, andaj është marrë iniciativë që kjo procedurë të kryhet edhe nëpër qendra të Mjekësisë Familjare, në mënyrë që gjitha gratë në gjithë Kosovën të kenë qasje më të lehtë.

“Është fatkeqësi që edhe pse është i vetmi kancer që mund të shërohet 100 për qind nëse zbulohet me kohë, shumica vijnë me vonesë dhe në stade të avancuara, kur invaliditeti është shumë i madh dhe shtetit i kushton shumë si sëmundje. Kemi marrë aksion që edhe në Qendra të Mjekësisë Familjare të kryhet ‘pap-testi’, formë kjo që ndihmon të zbulohet sëmundja herët dhe të kryhet me intervenime të vogla, pa kimioterapi dhe pa radioterapi”, tha Paqarada.

Ndërkaq, onkologu Arben Bislimi thotë se vaksinimi kundër kancerit të qafës së mitrës është një formë shumë e mirë e mbrojtjes nga kjo sëmundje, pasi që edhe prek kryesisht moshat e reja të femrave.

Por, në Kosovë kjo vaksinë ende nuk është futur në kalendarin e rregullt.

“Shkaktar i këtij kanceri janë infeksionet. Në Kosovë ende nuk është futur në kalendarin e vaksinimit, e që do duhej të vaksinohen vajzat nga 9 deri në 26 vjet. Është forma më e mirë e mbrojtjes nga sëmundja. Shumë e rëndësishme për parandalim është procedura e ‘pap-testit’, e që ka rekomandime se kur duhet bëhet kjo procedurë nga mjekët gjinekologë”, thotë Bislimi.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se çështja e futjes së vaksinës kundër kancerit të qafës së mitrës, është diskutuar disa herë, mirëpo përpos kostos së lartë financiare që bartë më vete kjo vaksinë, është edhe çështja tjetër që ende nuk ka dëshmi shkencore të bazuara në fakte se sa është efektive apo cilat janë efektet anësore.

Ata kanë shtuar se disa shtete, pas futjes së kësaj vaksine në kalendarin e rregullt, e ka bërë tërheqjen nga kalendari i vaksinimit./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat