SBASHKU nuk e dëgjon MASHT-in: Grevë deri në plotësimin e kërkesave

Kosova

SBASHKU nuk e dëgjon MASHT-in: Grevë deri në plotësimin e kërkesave

Më: 15 janar 2019 Në ora: 15:00
Ilustrim

SBASHK-u ka bërë me dije edhe njëherë qëndrimin se nuk do tërhiqen nga greva pa u rritur koeficienti për paga.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, gjatë një takimi me anëtarët e Komisionit për Arsim, ku mori pjesë edhe ministri Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se nuk po kërkojnë ngritje pagash, por përmirësim të koeficientit me qëllim që arsimi ta ketë vendin meritor.

"Nuk kërkojmë lëmoshë, por kërkojmë 30 për qind të rritet koeficienti që sistemi arsimor të ketë vendin meritor. Mësimdhënësit e demotivuar nuk mund të ngritin cilësinë në arsim", porositi Jasharaj.

Ndërsa, Ymer Ymeri nga SBASHK ka thënë se me Ligjin aktual të pagave është shkelur parimi i bazueshmërisë.

"Për shembull, psikologu i shkollës paguhet më pak se psikologu i një qendre klinike. Nuk po kërkojmë rritje pagash, por për punën e njëjtë të paguhemi barabartë", ka thënë ai.

Ndërsa ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka përsëritur se greva nuk është zgjidhje. Ai ka thënë se qeveria ka ofruar një ofertë për lëvizjen e koeficientit, por sipas tij, SBASHK-u nuk po e pranon.

"Qeveria është dakord të marrë masa për lëvizje të koeficientit, të rrisim pagat, por jo aq sa kërkohet, sepse nuk mund ta përballojë buxheti i Kosovës", ka thënë Bytyqi.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi ka bërë thirrje që MASHT dhe SBASHK të arrijnë qysh sot një marrëveshje për ta përfunduar grevën.

"Greva duhet të përfundojë për shkak të dëmeve kolosale që mund t'i shkaktojë një të katërtës së popullsisë që janë në shkolla, duke nisur prej çerdheve e deri në universiteteve", ka thënë Kurteshi.

Ndryshe, shumica e anëtarëve të komisionit thanë se kërkesat e mësimdhënësve janë të arsyeshme, por se greva nuk është mjeti i duhur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat