Kurti kujton vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka

Kosova

Kurti kujton vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka

Më: 17 janar 2019 Në ora: 15:01
Kurti kujton vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në 37 vjetorin e rënies së tre dëshmorëve të kombit, vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe bashkëveprimtarit të tyre, Kadri Zekës, ka thënë se liria e Kosovës ka qenë ëndrra e përjetshme dhe puna e përditshme e këtyre veprimtarëve.

Ai ka shkruar në Facebook se sot kur shohim rininë tonë të zhgënjyer nga liria, nuk mund të mos mendohet se shumëçka është bërë gabim, sepse nuk janë respektuar ëndrrat e dëshmorëve, por urdhrat e tiranëve.

...........................................

Sot është 37 vjetori i rënies së tre dëshmorëve të kombit, vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe bashkëveprimtarit të tyre, Kadri Zekës, të cilët u vranë në një atentat të organizuar nga shërbimet sekrete jugosllave më 17 janar të vitit 1982, në Untergruppenbach, në Stuttgart, të Gjermanisë. Vetë Jusuf Gërvalla, i gjetur ende i gjallë nga autoritetet gjermane, tregoi se pritën ua kish ngritur UDB-ja.

Edhe pse për luftën flitet shumë, pak e dinë se para tre luftërave të fundit të zhvilluara në Kosovë, Maqedoni e Luginë, ka qenë edhe një luftë tjetër. Vetëm gjatë viteve të '80-ta janë më shumë se 200 dëshmorë, shqiptarë të angazhuar në organizatat çlirimtare të Kosovës e të trojeve të tjera në ish Jugosllavi. Në atë dekadë, mbi 80% e të burgosurve politikë në krejt ish Jugosllavinë ishin shqiptarë!

Vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe e Kadri Zekës ndodhi në një moment të rëndësishëm në historinë e rezistencës e të organizimit çlirimtar të shqiptarëve. UDB-ja i eliminoi këta tre veprimtarë të shquar, pikërisht në kohën kur Jusufi e Kadriu me shokë po punonin që të bashkoheshin organizatat ilegale të kohës. Bashkimi i organizatave ndodhi megjithatë pas vrasjes së tyre, dhe ky ishte një hap i rëndësishëm, pa të cilin do të ishte i pamundur organizimi për luftë çlirimtare në vitet '90 e i cili kulmoi me UÇK-në.

Liria e Kosovës ka qenë ëndrra e përjetshme dhe puna e përditshme e këtyre veprimtarëve. Sot, kur shohim rininë tonë të zhgënjyer nga liria, nuk mund të mos mendojmë se shumëçka është bërë gabim, sepse nuk janë respektuar ëndrrat e dëshmorëve, por urdhrat e tiranëve.

Poezinë e tij “Do të kthehem nënë” Jusuf Gërvalla e mbyll me vargjet “N'atë vatër ku së pari zëri im jehoi / Andej nipat le të ngrejnë shtëpinë”. Ky amanet i Jusuf Gërvallës, i cili e ka ditur se në rrugën të cilën po ndiqte do të ishte shumë e vështirë të kthehej i gjallë tek nëna e mëmëdheu, do të duhej të na ndriçonte të gjithëve ne sot. Shtëpinë tonë të përbashkët do të duhet ta ngrinim andej ku ka jehuar zëri i Jusuf Gërvallës e i prijësve e dëshmorëve të tjerë. Jo në kuptimin gjeografik, por në kuptimin e rrugës që duhet ndjekur, për një Kosovë me drejtësi për popullin e saj, për një Kosovë që i zhvillon burimet e veta natyrore e potencialin e vet produktiv, për një Kosovë pa korrupsion e hajni masive qeveritare, për një Kosovë ku udhëheqin qytetarët e saj, demokratikisht, e jo ku përzihen në gjithçka shërbimet sekrete e vetë UDB-ja edhe pas çlirimit. Ideali i dëshmorëve për lirinë dhe zhvillimin e Kosovës është rruga, e kush ka menduar që ka rrugë tjetër, ka gabuar rëndë.

Lavdi e përjetshme për Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën e Bardhosh Gërvallën!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat