Tragjedia e familjes Leku nga Drenasi, ende s'e dinë si u vdiq djali para 5 muajve në QKUK

Kosova

Tragjedia e familjes Leku nga Drenasi, ende s'e dinë si u vdiq djali para 5 muajve në QKUK

Më: 17 janar 2019 Në ora: 18:18
QKUK

Janë bërë më shumë se pesë muaj nga vdekja e 19-vjeçarit, Drin Leku, nga fshati Baincë i Drenasit. Por, ende nuk po dihet shkaktari që çoi në vdekjen e tij. Familja po e akuzon stafin e QKUK-së për neglizhencë. Asnjë një institucion shtetëror nuk u është përgjigjur pyetjeve të familjes Leka rreth shkaktarit të vdekjes së djalit të tyre. Dreni kishte ndërruar jetë në mesnatën e 8 gushtit. Kufoma kishte qëndruar për disa orë në korridorin e QKUK-së. Hetimet për vdekjen e tij janë duke u vazhduar nga Inspektorati Shëndetësor i MSH-së dhe Prokuroria e Shtetit

Historia tragjike e familjes Leku me djalin e tyre nisi që nga mesnata e 4 gushtit të vitit të kaluar. Djali i Rrustemit, Drini 19-vjeçar, kishte vazhdimisht të vjella dhe dhembje barku. Me këto simptoma ai kërkoi ndihmë në Emergjencën e QKUK-së. Aty, trajtim, familja e të ndjerit kishte kërkuar për disa ditë rresht. 

Në mesnatën e  6 dhe 7 gushtit, familja Leka e kishte dërguar sërish djalin e tyre në QKUK, por nga aty, më 8 gusht, Dreni u kthye në arkivol për në shtëpinë e tij. Familja e të ndjerit thonë se as sot nuk i dinë shkaqet që çuan në vdekjen e djalit të tyre. 

Ata ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje për shkaktarin e vdekjes nga ana e institucioneve shtetërore: nga Prokuroria e Shtetit, QKUK e as nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Prindi i 19-vjeçarit të ndjerë, Rrustemi ka deklaruar të enjten se ende nuk ka as edhe një përgjigje nga ana e Inspektoriatit Shëndetësor e as nga Mjekësia Ligjore ku tregohet shkaktari që çoi në vdekjen e djalit të tij.

“Nuk dimë asgjë. Jemi në pritje tash e disa muaj. Mua më ka shkuar djali e as sot nuk e di arsyen e vdekjes së tij. Po na thonë të presim. Nuk na ka mbetur më asgjë përveç pritjes”, ka deklaruar prindi i të ndjerit. 

E kjo familje tashmë ka disa muaj që ka bërë ankesë në QKUK, Inspektoriatin Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë si dhe në Prokurorinë e Policinë e shtetit duke kërkuar kështu arsyet që çuan në vdekjen e djalit të tyre.

Pala mbrojtëse e familjes Leku, avokati, Armend Deskaj, ka deklaruar se ende nuk e kanë marrë raportin e Autopsisë që tregon shkaktarët e vdekjes së të riut.

“Jemi duke e pritur raportin e autopsisë nga ana e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Drejtori i këtij Instituti me ka thënë që sot e dërgojnë në Inspektorat. Ne dyshojmë që nga neglizhenca së pari e QKMF-së së Drenasit pastaj edhe e QKUK-së, kanë qenë shkaktarët që kanë çuar në vdekjen e Drinit”, ka deklaruar pala mbrojtëse e familjes të së ndjerit.

Avokati Deskaj, thotë se kanë marrë premtime se së shpejti do ta kenë raportin rreth shkaktarëve të vdekjes së Drinit.

“Mua nga ana e IML-së më kanë thënë që së shpejti do t’i japin rezultatet përfundimtare të autopsisë”, ka treguar avokati.

Ndërkohë, prokurori i krimeve të rënda, i cili –po merret me këtë rast, Armend Hamiti, i tha të enjten gazetës se lënda për këtë rast pritet të kompletohet deri në fund të këtij muaji.

“Lënda për këtë rast ende nuk është përfunduar. Ne i kemi urdhëruar disa urdhëresa, rreth autopsisë por edhe disa të tjera. Jemi duke i pritur. Besojmë që brenda këtij muaji të kryen të gjitha dhe pastaj të merremi me hetimet tjera”, ka deklaruar Hamiti.

Por Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë, vazhdon të mos japë detaje rreth kësaj çështjeje. 

Gazeta ka disa muaj që ka dërguar pyetje në këtë institucion, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, por të njëjtit kishin thënë atëherë se mjekët janë në pushime verore. E tash se inspektori shëndetësor, i cili është marrë me lëndën gjendet, në pushim.

Megjithëkëtë, Prokuroria e shtetit, deklaron se pas raportit të Mjekësisë Ligjore do të ndërmarrë masa rreth këtij rasti.

Vdekja e Drin Lekut, sipas familjes, ka ndodhur si pasojë e neglizhencës se personelit mjekësor. 

Familja kishte deklaruar se janë të dyshimta veprimet e personelit, sepse fillimisht nuk e kanë pranuar dy ditë, pas vdekjes nuk e dërgojnë në murg në frigorifer, por e lënë në korridor, nuk e lajmërojnë as policinë as prokurorinë deri në orën 8, vdes në orën 12 dhe e lajmërojnë në orën 8 e gjysmë. 

Drin Leku ka ndërruar jetë në mesnatën e 8 gushtit, edhe përse ndihmën e kishte kërkuar qysh në datën 4 dhe 5, por ai u pranua në spital vetëm me datën 6.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat