Fundjava me mot të vranët dhe ngrica

Kosova

Fundjava me mot të vranët dhe ngrica

Më: 19 janar 2019 Në ora: 07:13
Ilustrim

Në fundjavë mjegull e ngrica në mëngjes. Kohë pas kohe reshje të dobëta bore dhe shiu.

Vendi ynë në ditët e fundjavës ndodhet ndërmjet fushave të presionit të ulët në Itali dhe atyre të larta në lindje të rajonit. Ndërkohë edhe në aspektin termik, ndodhemi ndërmjet masave të ngrohta nga Mesdheu dhe atyre të ftohta nga verilindja e kontinentit.

Ajri i ftohtë pranë sipërfaqes tokësore do të mbetet i bllokuar nga masat e ngrohta ajrore përmbi, që do të shkaktojnë inversionin termik, e që nën këto kushte do të ketë mjegull në ultësira, por kohë pas kohe fushat e presionit të ulët mbi Itali do të sjellin mundësi për reshje të dobëta të përziera bore dhe shiu, e vende-vende edhe shi të akullt. Në vise malore vetëm reshje bore.

Kushtet meteorologjike për inversion termik dhe mjegull që parashihen në fundjavë, do të mbajnë të bllokuar ndotësit në vise të ulëta, ndaj edhe vlerat e kualitetit të ajrit do të mbesin në të pashëndetshme, e kohë pas kohe orëve të mbrëmjes mund të rriten edhe në të rrezikshme.

19.01 - Herët në mëngjes mundësi për reshje të dobëta bore. Në vise të ulëta mundësi për mjegull, e gjatë ditës kryesisht vranësira dhe intervale me diell.

20.01 - Në mëngjes ngrica, mjegull në ultësira. Kryesisht vranët. Kohë pas kohe vende-vende priten reshje të dobëta të përziera shiu dhe bore, si dhe shi i akullt.

21.01 - Në mëngjes ngrica, mjegull në ultësira. Kryesisht me vranësira. Paradite vende-vende mundësi për shi të akullt. Në vise malore borë.

22.01-23.01 - Të martën kryesisht vranët. Kohë pas kohe reshje të dobëta shiu dhe bore, e në vise malore mbi 800m reshje bore. Ditën e mërkurë kryesisht vranët, kohë pas kohe reshje të dobëta shiu, e në vise malore mbi 1200m reshje bore.

Image

Temperaturat e ajrit do të luhaten rreth vlerave mesatare. Minimalet -2 deri në 0C, e maksimalet nga 3C deri në 5C. Në vise të mbuluara me mjegull, temperaturat do të jenë ndjeshëm më të ulëta.

Do të fryj erë e lehtë nga juglindja 1-3m/s.

Sipas Prishtina Weather, shtypja atmosferike, do të rritet mbi vlera normale, e nga mesi i javës do të pësojë rënie të thellë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat