Shkolla teknike në Vushtrri shndërrohet në Qendër të Kompetencës

Kosova

Shkolla teknike në Vushtrri shndërrohet në Qendër të Kompetencës

Më: 22 janar 2019 Në ora: 16:15
Pamje nga marrëveshja

Është nënshkruar sot marrëveshja në mes të Komunës së Vushtrrisë dhe Projektit KSV/020 “Mbështetje Reformës së Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP) në Kosovë – Faza 2” me qëllim të përkrahjes së shkollës së mesme profesionale “Lutfi Musiqi” në Vushtrri. Shuma totale e projektit i cili pritet të zbatohet me shumë aktivitete, deri në vitin 2022 është 5 milion euro, derisa Komuna e Vushtrrisë ka ndarë një buxhet prej 179,644.66 Euro.

Komuna e Vushtrrisë është e interesuar të fillojë procesin i cili do të kulmojë me avancimin e shkollës profesionale “Lutfi Musiqi” në një Qendër të Kompetencës shumë-sektoriale.

Ky projekt është financuar nga Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut nëpërmjet Luxembourg Aid & Development dhe zbatohet nga Lux Development dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Republikës së Kosovës.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri tha se bashkëpunimi me  Luxembourg Aid & Development është një hap shumë i rëndësishëm në shkollimin profesional. “Qëllimi i këtij projekti është që në Shkollën teknike të kemi ndryshim të kurrikulës, e po ashtu të kemi trajnime për mësimdhënësit por edhe për nxënësit, me qëllim që të kemi akreditim ndërkombëtar për nxënësit që përfundojnë aftësimin këtu”, ka thënë Tahiri.

Derisa qëllimi final, kryetari Tahiri tha se është të eliminohet boshllëku mes shkollimit profesional dhe tregut të punës, që të rinjtë që kryejnë shkollimin profesional këtu të gjejnë punë me lehtë.

Nga ana tjetër Daniele Cristian Passalacua, përfaqësues i Luxembourg Aid & Development, tha se arsyeja e investimit  kaq të madh në Vushtrri, është ajo se vizioni ynë për zhvillimin e arsimit profesional përputhet me vizionin e Komunës. Projekti për zhvillimin e arsimit, dhe arsimit profesional që financohet nga Qeveria e Luksemburgut dhe nga MASHT-i dhe në këtë rast nga Komuna e Vushtrrisë, fillimisht është menduar të mbështesë Shkollën teknike, por Komuna e Vushtrrisë është e vendosur që kjo shkollë të shndërrohet në Qendër ë Kompetencës, ka thënë Passalacua.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat