Apostolova: Kodi Civil i qasshëm për të gjithë

Kosova

Apostolova: Kodi Civil i qasshëm për të gjithë

Më: 24 janar 2019 Në ora: 10:47
Apostolova në aktivitetin “Rruga drejt një Kodi Civil modern të Kosovës”

Kodi Civil i Kosovës është finalizuar dhe së shpejti do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për komente e më pastaj për miratim.

Kështu është bërë e ditur në aktivitetin “Rruga drejt një Kodi Civil modern të Kosovës”, organizuar nga projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”, i cili ka mbështetur Ministrinë e Drejtësisë.

Me këtë rast, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se me të marrë mandatin e ministrit prioritet ka pasur kodin civil.

"Kodi civil ka qenë dhe është një prej prioriteteve të mëdha, po ashtu është dokumenti më i rëndësishëm pas Kushtetutës. Gjatë periudhës së hartimit të këtij kodi kemi përcjell trendet bashkëkohore të së drejtës civile. I kemi kushtuar rëndësi edhe traditës së popullit tonë. Ne i kemi kushtuar vëmendje aspiratave tona në Bashkimin Evropian. Të gjitha këto na kanë udhëhequr në punën për draftin e kodit civil", tha ai.

Shefja e Zyrës së BE, Nataliya Apostolova, tha se për më shumë se katër viteve pune të madhe është arritur të bëhet një punë e madhe.

Ajo tha se kodi rregullon marrëdhëniet familjare, detyrimet dhe trashëgiminë dhe të drejtat civile. Apostolova tha se të gjitha këto janë të grupuara në një kod i cili është i qasshëm për të gjithë.

"Në këtë proces i është dhënë një vëmendje e veçantë kontekstit kosovar. Është shumë me rëndësi se produkti që po e prezantojmë sot nuk është një produkt i përfunduar, ne po e dorëzojmë një draft qeverisë që të bëjë komentet. Realisht ky është një hap tjetër dhe do t’iu bëja ftesë që të merrni pjesë të gjithë. Kodi që e kemi sot është për secilin prej jush. Drafti është prodhuar në gjuhën shqipe. Projekti i ka përgatitur edhe një memorandum shpjegues se si do të përdoret ky kod. Prej sot është qeveria që ta përfundojë kodin civil", tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat