Kompanitë publike në Ferizaj drejt falimentimit

Kosova

Kompanitë publike në Ferizaj drejt falimentimit

Nga: D. B Më: 28 janar 2019 Në ora: 11:43
Gëzim Kokollari

Qeverisja e PDK-së ne krye me Agim Aliun e filloi mandatin e vet qeverisës para një viti dhe vendimet e para të kësaj qeverie lokale ishin shkarkimet e paligjshme dhe pa kurrfarë analize të bordeve të ndërmarrjeve publike.

Kështu ka vlerësuar Gëzim Kokollari, anëtar i Kuvendit Komunal në Ferizaj, ku sipas tij, për shkak të këtij mandati vetëqeverisës të Aliut, u shkarkuan edhe bordet e kompanive publike, për të cilat edhe auditorët kishin konstatuar afarizëm stabil financiar.

“Dega e LDK-së në Ferizaj, ka bërë të njohur këto tendenca degraduese, por nuk ka menduar që ky avaz do të vazhdojë deri në këtë shkallë falimentuese. Emërimet e bordeve të reja në këto ndërmarrje ishin bërë për të rehatuar militantët partiak dhe këto borde janë komplet joprofesionale dhe jo kompetente për punën që po e kryejnë. Kjo detyrimisht sjell pasoja në keqësimin e gjendjes financiare të këtyre ndërmarrjeve si p.sh: në stacionin e autobusëve në Ferizaj. E them këtë pasi punëtoret janë ata të cilët po i bartin këto pasoja, duke u detyruar kështu edhe që të marrin pushim pa pagese vetëm e vetëm për të mbijetuar ndërmarrja financiarisht”, ka thënë Kokollari.

Sipas tij, këtë gjendje e ka rënduar edhe shpikja e pozitave të panevojshme që nuk kanë ekzistuar me herët, siç është rasti i emërimit të zëvendës krye shefit.

“Punëtorët e stacionit të autobusëve u detyruan për hir të pushtetit ta përligjin këtë veprim, duke u detyruar ta nënshkruajnë pushimin pa pagesë kundër vullnetit dhe kushteve të tyre materiale. Madje edhe frikësohen ta pranojnë publikisht për shkak të shantazheve të pushtetit. Fatin e njëjtë më herët e kishin edhe disa punëtor të NPL Ambienti në Ferizaj. Gjithashtu edhe në ndërmarrjen “Pastërtia” punëtoret i marrin pagat deri në 3 muaj me vonesë”, ka thënë Kokollari.

Ai ka bërë të ditur se marrja e pagës çdo tre muaj, ka qenë e panjohur deri më tani në komunën e Ferizajt.

“Problem në vete është edhe kthimi në punë i anëtarëve të bordeve, të cilët me vendime të gjyqeve shëtisin derë më derë për të realizuar të drejtën e tyre, pasi kryetari nuk i zbaton vendimet e Gjykatës. Nga këtu ne i bëjmë thirrje kryetarit Aliu që të fillojë të zbatojë vendimet e Gjykatave për kthimin në punë të Anëtareve të Bordeve dhe të bëjë kompensimin e pagave të humbura sipas vendimeve gjyqësore.  Është për keqardhje që vetëm për një vit të kësaj keq-qeverisjeje ndërmarrjet publike janë ardhur kështu në këtë gjendje në prag të falimentimit, dhe jo vetëm për keq menaxhim por edhe për stërngarkim të vazhdueshëm me familjarë e militantë politik. Andaj LDK-ja në Ferizaj me shqetësimin më të madh, po e përcjell dukurinë e degradimit të ndërmarrjeve publike me fajin e kryetari Aliu”, ka thënë Gëzim Kokollari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat