ORCA porosit Veselin të mos i fusë hundët në arsim

Kosova

ORCA porosit Veselin të mos i fusë hundët në arsim

Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 10:04
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim sheh takimin e djeshëm të rektorëve me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli si takim kryekëput me motive politike dhe i bën thirrje Partisë Demokratike të Kosovës dhe partive të tjera të mos e shfrytëzojnë situatën për të bërë lojëra politike dhe elektorale në kurriz të cilësisë së arsimit.

Përmes një reagimi për media ORCA thotë se takimi i djeshëm i rektorëve me Veseli në ambientet e Kuvendit nuk ka kurrfarë logjike institucionale pasi Veseli si Kryetar i Kuvendit të Republikës nuk ka asnjë lidhje direkte me rektorët.

“E vetmja lidhje e tij me rektorët mund të jetë ajo partiake, në cilësinë e partisë partnere të koalicioni apo për faktin që rektorët janë zgjedhur në këto pozita në kohën kur mandatin e qeverisjes në arsim e ka pasur Partia Demokratike e Kosovës. Prandaj, të tilla takime nuk duhet të zhvillohen në ambientet e institucioneve të shtetit, por në ambientet partiake ashtu që publiku ta ketë të qartë natyrën e takimit”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

ORCA ka shtuar tutje se ‘Deklaratat populiste të zt. Veseli duke ju premtuar universiteteve publike gjëra të caktuara pa e pasur tagrin institucional për një gjë të tillë, janë deklarata me motive elektorale’.

ORCA gjithashtu ka rikujtuar se’ të gjitha universitetet tjera që veprojnë në Kosovë me përjashtim të Universitetit të Prishtinës nuk i plotësojnë kushtet e Ligjit për Arsimin e Lartë, neni 10, pika 2 e tij për të mbajtur emërtimin “Universitet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat