Bizneset që nuk vendosin flamujt te produktet do të gjobiten

Kosova

Bizneset që nuk vendosin flamujt te produktet do të gjobiten

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 11:53
Foto ilustrim

Bizneset tashmë kanë filluar vendosjen e flamujve të origjinës së produkteve nëpër markete e tyre, por shenjëzimi i tyre ende nuk ka përfunduar. Ndërsa për ata që nuk e respektojnë këtë udhëzim administrativ Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka paralajmëruar ndëshkime.

Vendimi për vendosjen e flamujve te produktet u morë më 29 dhjetor të vitit të kaluar, teksa ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, kishte nënshkruar udhëzimin administrativ që urdhëron marketet të vendosin flamuj sipas origjinës së produktit, vendimi ky i cili filloi të aplikohet që nga 1 janari.

Krahas kësaj vendosjen e flamujve te produktet e kanë mirëpritur qytetarët e Kosovës, ndonëse disa prej tyre deklarojnë se ata flamuj nuk i kanë parë nëpër shoqëritë tregtare.

Emre Sherif për KosovaPress ka thënë se i ka parë flamujt e vendosur nëpër markete dhe se kjo ofron lehtësi për t’i gjetur më lehtë produktet vendore.

Sherif: Më ka pëlqyer shumë ideja për vendosjen e flamujve

“Po i kam hetuar flamujt, e kam parë të Kosovës dhe po më pëlqen, më mirë është me investuar në Kosovë...Më mirë tash, kujt i pëlqen me përdorë produkte të Kosovës e ka më lehtë“, ka thënë ky qytetar.

E Fahri Duraku u shpreh se nuk ka parë nëpër markete flamuj e origjinës, por që ky veprim u ndihmon konsumatorëve të përzgjedhin më lehtë se çka do të konsumojnë.

Duraku: Më mirë është me i vendos flamujt

“Jo për besë nuk i kam parë...Më mirë është se e dinë se çfarë prodhime po merr, më mirë është ...e dinë prej cilit shtet po vjen”, u shpreh Duraku.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka theksuar se inspektorati i MTI-së ka filluar inspektimet nëpër shoqëritë tregtare.

Ai ka kërkuar që bizneset sa më parë të fillojnë t’i vendosin flamujt tek produktet.

Shala: Masa ndëshkimore do merren për ata që nuk e respektojnë ligjin

“Ligji është në fuqi nga 29 dhjetori i vitit 2018 të gjitha shoqëritë tregtare në Republikën e Kosovës janë të obliguara ta respektojnë këtë ligj, atë nen të caktuar që tek secili çmim i produktit i cili shitet në tregun e Kosovës në anën e majtë të çmimit duhet të jetë i vendosur flamuri i origjinës së atij produkti. Ligji tashmë është në fuqi ne si ministrin e Tregtisë jemi duke i inspektuar të gjitha shoqëritë tregtare, jemi duke i vetëdijesuar që sa më shpejt të fillojnë edhe ato të cilat nuk i kanë ato t’i vendosin, dhe shumë shpejt ministria e Tregtisë dhe Industrisë, inspektorati i saj dhe inspektoratet tjera komunale do të vazhdojnë edhe me shqiptimin e masave ndëshkimore që përcaktohen me ligjin për mbrojtjen e konsumatorit...Përndryshe masat ndëshkimore të parapara me  ligjin për mbrojtjen e konsumatorit do të merren ndaj secilës shoqëri tregtare e cila nuk e respekton ligjin”, ka shtuar Shala .

I pari i tregtisë dhe industrisë së Kosovës është zotuar se varësisht prej masës të cilën inspektorati e sheh që është bërë shkelje do të ndëshkohen edhe shoqëritë tregtare.

Nora Jusufi nga Instituti GAP vendosjen e flamujve tek produktet nëpër markete e ka vlerësuar si një iniciativë të mirë, e cila mbron konsumatorin dhe ia lehtëson atij përzgjedhjen e produkteve që dëshiron t’i konsumojë.

Sipas saj, përmes këtij veprimi ndërprehet edhe mashtrimi indirekt ndaj konsumatorit.

Jusufi: Vendosja e flamujve e ndihmon konsumatorin

“Çdo informatë shtesë që i jepet çoftë prej prodhuesit çoftë prej shitësit të produktit i ndihmon shumë në vendimmarrje e vetë. Edhe ky udhëzim është bërë në kuadër të nentit për etiketim, në bazë të atij neni i cili e parasheh edhe vendosjen e flamujve, mirëpo në përgjithësi përveç vendosjes së flamujve ..është edhe etiketimi pjesa tjetër e produkteve ka produkte vendore dhe të huaja që ofrojnë informata për mënyrën se si është prodhuar ai produkt, mandej edhe për vlera ushqyes, por shumica nuk i japin këto informata .... ka prodhues që po vendosin emra të huaj të produkteve të tyre po i reklamojnë në atë mënyrë dhe ndoshta edhe çmimet po i vendosin sikur të jenë konkurrente me cilësinë e disave që kanë zhvillim më tepër në njëfarë mënyrë është një lloj mashtrimi indirekt i konsumatorit, kështu që në këtë mënyrë me vendosjen e flamujve përmirësohet një pjesë e vendimmarrjes së blerjes”, ka shtuar ai.

Jusufi konsideron se gjobat ndaj shkelësve duhet të jenë në proporcion me moszbatimin e udhëzimit administrativ për vendosjen e flamujve.

Kujtojmë se vendimi për vendosjen e flamujve erdhi pak pasi Qeveria e Kosovës vendosi taksë 100 % ndaj prodhimeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, si reagim ndaj një fushate të ashpër diplomatike të Serbisë kundër aplikacionit të Kosovës në Interpol dhe qëndrimit mbështetës të Bosnjës ndaj politikës së Beogradit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat