Vdekja e prizrenasit në Zvicër, ky është rrëfimi i familjes

Kosova

Vdekja e prizrenasit në Zvicër, ky është rrëfimi i familjes

Më: 4 shkurt 2019 Në ora: 18:16
Vetura me të cilën u aksidentua Ded Radi

Ded Radi nga Prizreni vdiq tragjikisht mëngjesin e së hënës, në një nga autostradat e Cyrihut, derisa ishte duke shkuar në punë me dy kolegë të tij. Gjatë vozitjes me makinë, në autostradë dolën dy kuaj të cilët u ndeshën me veturën e Radit, e kjo çoi deri te vdekja e tij, ku mbetën të lënduar edhe dy pasagjerët e tjerë.  Mirëpo, ky nuk është rasti i parë i vdekjes së një anëtari të familjes Radi në Zvicër, para pothuajse 30 vitesh, atje u vra edhe vëllai i Dedës, Zefi. 

Ishte nisur për të shkuar në punë bashkë me dy kolegë të tij, por mëngjesi i së hënës ishte fatal për 53-vjeçarin nga Prizreni. Gjatë vozitjes, në rrugë dolën papritur dy kuaj, të cilët u ndeshën me makinën e Ded Radit, i cili mori lëndime të rënda të cilave nuk mundi t’u bënte ballë dhe vdiq në vend.

Image

 

“Ka qenë duke u kthyer nga puna bashkë me dy punëtorë, e ka pasë një biznes të vetin atje. Në autostradë, rruga e siguruar, shpejtësia e lejuar, është ndeshë në dy kuaj, kjo ka qenë e papritur të ndodhë në një vend ku ka siguri në komunikacion siç është Zvicra”, ka thënë xhaxhai i Dedës, Gjokë Radi.

Shtëpia në të cilën po mbahet e pamja për Ded Radin

Ai ka shtuar se ndihma e parë e ka gjetur të gjallë, por nuk ka pasur sukses që ta shpëtojë.

“Policia apo ndihma e parë e kanë gjetur si duket në jetë ende por nuk kanë mundur t’i ndihmojnë, kurse dy bashkudhëtarët nuk kanë pasur lëndime serioze dhe fatmirësisht kanë shpëtuar”, është shprehur Gjoka.

Image

 

Mirëpo, ky nuk është rasti i parë që e ka tronditur familjen Radi nga Prizreni. Para 29 vitesh, në Zvicër është vrarë vëllai i Dedës, Zefi. Xhaxhai i tij thotë se ai u vra nga disa serbë, për faktin se ishte shqiptar. E ndonëse ka kaluar shumë kohë, dhimbja për familjen Radi është ende e freskët.

“Më herët kemi pasur edhe një rast tjetër i cili po ashtu na ka shokuar. Në vitin 1990, vëllai i Dedës, Zefi, është vra në Zvicër nga serbët. Aty është plagosur edhe një kushëri tjetër i cili nga plagët e marra më pas ka ndërruar jetë. Kanë kaluar pothuajse 30 vite por me sa kemi dëgjuar atëherë, ka qenë për faktin që janë shqiptarë. Vdekja e Zefit ka qenë e vështirë për krejt familjen, e tani vdekja e Dedës po e rikthen mërzinë e familjes. Është shumë e vështirë për nënën me i varrosë dy bijtë e saj”, është shprehur xhaxhai i tyre, për Express.

Xhaxhai i tij thotë se Deda ka shkuar në Zvicër qysh në moshën 17-vjeçare. Atë kohë ka dalë si shumë kosovarë tjerë të cilët kanë shkuar me qëllimin për t’u ndihmuar financiarisht familjarëve të tyre në Kosovë. Ndërkaq, deri në momentin e vdekjes, ai ishte duke jetuar me familjen e tij.

Me kërkesë të fëmijëve të tij, Ded Radi do të varroset në Zvicër, ndërkaq familjarët e tij në Kosovë janë duke i bërë gati dokumentet për të shkuar në varrimin e tij. Ai ka lënë pas vetës gruan dhe dy fëmijë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat