Martesa për ta plotësuar amanetin e babait i kushton me burg 21-vjeçarit nga Gjakova

Kosova

Martesa për ta plotësuar amanetin e babait i kushton me burg 21-vjeçarit nga Gjakova

Më: 5 shkurt 2019 Në ora: 19:08
Pamje nga vendi i ngjarjes

U martuan para pak muajsh. Por, veprimi i tyre bie ndesh me ligjin. 21-vjeçari nga Gjakova e mori nusen gjashtë vite më të re. 14-vjeçarja u martua nëpërmjet një mësiti me Hysen Berishën. Për këtë ai u arrestua me akuzën “bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën 16-vjeçare. Ndërkohë e mitura vazhdon të qëndrojë në shtëpinë e burrit dhe thotë se nuk do të ndahet nga ai.

Një 21 vjeçar nga Gjakova, i komunitetit ashkali, e mori për nuse një 14 vjeçare nga i po i njëjti qytet, duke ia plotësuar kështu amanetin babit të tij të ndjerë, Bardhylit, në ditën e 40-të të vdekjes së tij.

Bardhyli pak para se të vdiste i kishte thënë gruas së tij që djalin e vogël, Hysenin, ta martonte. E nuk kishte shkuar gjatë dhe me shkuesi, Hyseni, e mori për nuse një 14-vjeçare nga Gjakova.

Por martesa e tyre, siç duket, nuk po shkon qysh donin. 21- vjeçari po akuzohet nga ana e organeve të hetuesisë kosovare se mori për nuse një vajzë të mitur duke e shkelur kështu ligjin. Ai u arrestua të hënën në mesditë nga ana  policisë së rajonit të Gjakovës.

Ajo thotë se djalin e martoi me mësit para pak muajsh dhe se ai bashkë me gruan e tij, 14-vjeçaren, jetojnë jetë të lumtur.

“Djalin e kemi martua frik. Burri i ndjerë ma pat lan amanet që me ja martua edhe djalin e vogël. E nuk shkoi gjatë edhe e martuam me mesit. Çika është e Gjakovës, edhe mirë kanë shku me djalin. Po çka u ba, çka ndodhi tyben s’e dimë”, tregon nëna e Hysenit.
Tregon se djalin ia mori policia dje në mesditë, por që sot pritet që të lirohet.
“Po besojmë që sot lirohet djali. Kështu na thanë”, tregon nëna e 21-vjeacarit. E nusja e tij, e mitura 14 vjeçe, vazhdon të qëndrojë në shtëpinë e tij, duke e pritur djalin të lirohet nga burgu.

Familja e Hysen Berishës thotë se vajza u martua me miratimin e saj dhe të familjes me djalin e tyre.

E me këtë punë, tashmë është duke u marrë edhe policia e Kosovës. Këta të fundit thonë se janë duke u marrë me rastin dhe se vepra po cilësohet si ‘penale’ bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën 16’vjecare’.

Zëdhënësja e rajonit të policisë për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj, ia ka konfirmuar Express’it rastin.

“Lidhur me rastin e lartshënuar me datën 04.02.2019, është identifikuar dhe është arrestuar i dyshuari mashkull K/ashkali, i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në qendrën e mbajtjes”, thonë nga ana e policisë.

E ndërkaq, ligji për familjen thotë se asnjë person nën moshën 18 vjeçare nuk mund të lidhë martesë me një tjetër. Aty theksohet se vetëm për shkaqe të arsyeshme dhe sipas kërkesës, gjykata mund të lejojë martesën, por, kjo vetëm për personat më të vjetër se 16 vjet. 

Kjo nëse konstatohet se personi i tillë ka arritur pjekurinë e nevojshme fizike dhe psikike për të ushtruar të drejtat e veta martesore dhe për të përmbushur detyrimet martesore. 

Gjykata para se të merr vendimin do të kërkojë mendimin e Organit të Kujdestarisë, do ta dëgjojë të miturin dhe prindërit përkatësisht kujdestarin e tij. Gjykata gjithashtu do të dëgjojë personin me të cilin i mituri ka për qëllim të lidhë martesë, mendimin e institucionit përkatës shëndetësor dhe do të hetojë rrethanat tjera të rëndësishme për vendimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat