Lladrovci: Besoj që nxënësja u detyrua ta tërheqë akuzën ndaj profesorit

Kosova

Lladrovci: Besoj që nxënësja u detyrua ta tërheqë akuzën ndaj profesorit

Më: 6 shkurt 2019 Në ora: 15:48
Ramiz Lladrovci

(E plotësuar) - Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur dyshimin e tij se nxënësja e dhunuar seksualisht nga mësimdhënësi Sh.Xh., e më pas nga hetuesi policor V.V. është detyrua ta tërheqë deklaratën e saj ndaj mësimdhënësit në fjalë.

Këto komente ai i bëri në një konferencë të jashtëzakonshme për media ku shprehu shqetësimet e tij për rastin e të miturës.

Lladrovci ka shtuar se në këtë rast tërheqja e deklaratës është bërë në bashkëpunim edhe me hetuesin V.V.

Lladrovci: Besoj se nxënësen e kanë detyruar ta tërheqë deklaratën

"Unë kam besuar se nxënësen ose e kanë abuzuar, ose e kanë detyruar të tërheqë deklaratën, sepse nuk mund të shkoj një nxënëse ta denoncojë mësimdhënësin e vet dhe pas një kohe ta tërheqë deklaratën e vet. Kjo po del se ka qenë në bashkëpunim. Besoj se hetimet do ta sqarojnë", tha ai.

Kryetari Lladrovci ka deklaruar se në bazë të kompetencave që kanë si komunë kanë ri-pezulluar nga puna mësimdhënësin dhe do të iniciohet rasti në organet hetuese. Ai thotë se nuk ka informacione se mësimdhënësi është duke u hetuar nga organet e drejtësisë.

Lladrovci: Mësimdhënësi është ri-pezulluar nga puna

"Menjëherë duke respektuar legjislacionin në fuqi ka ri-pezulluar nga puna mësimdhënësin Sh.Xh., si dhe ne si institucion do të iniciojmë rast në hetuesi ndaj mësimdhënësit, po ashtu ndaj të njëjtët do të zhvillohet procedurë disiplinore", ka thënë ai.

I pari i Drenasit ka treguar se edhe në vitin 2017 pas informacioneve që kanë pranuar se Sh.Xh. kishte abuzuar seksualisht të miturën, Drejtoria e Arsimit në Drenas e kishte pezulluar nga puna mësimdhënësin, por që pas vendimit të prokurorisë është dashur përsëri ta kthejnë në punë.

Në aktvendim, sipas Lladrovcit, arsyetim për pushim të rastit ishte dhënë se e mitura kishte tërhequr akuzën, me arsye se nuk kishte ndodhur ashtu siç kishte thënë ajo.

Lladrovci: Mësimdhënësi ishte kthyer në punë pas pushimit të hetimeve

"Pas njoftimit të datës 19.09.2017 nga komandanti i stacionit në Drenas se në stacionin policor është raportuar keqpërdorim seksual duke përdorur pozitën, autoritetin apo profesionin, dhe se është iniciuar rast në prokurori, Drejtoria e Arsimit më datën 20.09.2017 ka marrë vendim që ta pezullojë nga puna mësimdhënësin Sh.Xh...Me të marrë vendimin nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, aktvendimin se pushojnë hetimet, ne kemi marrë edhe njëherë masat dhe i kemi shkruar edhe njëherë Prokurorisë së Shtetit lidhur me këtë rast, sepse edhe atëherë kemi konsideruar se është një rast i rëndë...Aktvendimi i Prokurorisë së Shtetit për pushim neve na ka detyruar me e kthyer mësimdhënësin. Unë kam provuar që mësimdhënësin ta dërgojë në shkolla tjera dhe se legjislacioni në fuqi nuk ma ka lejuar dhe jam detyruar ta kthej", ka thënë Lladrovci.

Për mësimdhënësin Sh.Xh., kryetari i Drenasi Ramiz Lladrovci thotë se nuk ka pranuar më parë asnjë ankesë.

I pari i komunës së Drenasit ka shprehur dyshimet se ka edhe raste të tjera abuzimi të këtij lloj, andaj ka inkurajuar organet e rendit dhe të drejtësisë që ta ndjekin këtë rast dhe rastet tjera, në mënyrë që keqbërësit të gjykohen sipas ligjit.

Ndryshe, Inspektorati i Policisë se Kosovës sot gjatë ditës ka bërë të ditur se është arrestuar hetuesi policor, nën dyshimin se e ka abuzuar seksualisht të miturën 16- vjeçare nga Drenasi. 

Dhunimi i të miturës, pezullohet mësimdhënësi Sh.Xh.

Kryetari i komunës së Drenasi, Ramiz Lladrovci në një konferencë të jashtëzakonshme ka folur për rastin e dhunimit seksual të 16-vjeçares nga kjo komunë.

Ai me këtë rast ka bërë të ditur se ndaj mësimdhënësit Sh.Xh., Drejtoria e Arsimit në këtë komunë me të marrë informacion, më 19.09.2017 e ka pezulluar nga procesi mësimor.

Lladrovci shtoi se pas vendimit nga prokuroria që janë ndërprerë hetimet për rastin, ai e ka kthyer mësimdhënësin në procesin mësimor, por që pas raportimeve të fundit në media, ndaj mësimdhënësit në fjalë është marrë vendim nga Drejtoria e Arsimit për ri-pezullim.

I pari i Drenasit u shpreh se arsyetimi i prokurorisë për mbylljen e rastit ka qenë se e mitura ka tërhequr akuzën nën bazën se ‘nuk ka ndodhur ashtu siç kishte thënë ajo’.

Lladrovci ka inkurajuar institucionet përgjegjëse të merren me rastin, pasi siç shprehet ai, mund të ketë edhe raste tjera.

Ai po ashtu tha se më herët nuk ka pasur ankesa ndaj Sh.Xh. deri në rastin në fjalë.

Ramiz Lladrovci konferencë për vajzën e dhunuar në Drenas (Drejtpërdrejt)

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovic po mbanë konferencë.

Tema ka të bëjë me vajzën e përdhunuar nga një hetues policor.

Rasti tashmë ka kaluar në duart e drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat