(E plotësuar) - Është duke vazhduar protesta në Drenas për rastin e abuzimit seksual të së miturës nga profesori dhe hetuesi policor.
Disa nga protestuesit kanë gjuajtur me vezë në drejtim të Policisë. Ndërsa një nga organizatorët e kësaj proteste u ka bërë thirrje që të mos gjuajnë me vezë, duke thënë se kjo protestë është organizuar në bashkëpunim me policinë.
“Mos gjuani, ne nuk jemi dhunues, jemi protestues. Policia e ka organizuar bashkë me ne protestën, andaj mos gjuani", ka thënë njëri nga organizatorët.
”Kosova s’lind veç trima”, protestuesit në Drenas futen në oborrin e shkollës ku mësonte Shkëlzen Xhekaj
Protestuesit nga vende të ndryshme të Kosovës, janë futur në oborrin e shkollës ku jepte mësim profesori i Informatikës, Shkëlzen Xhekaj në Gjimnazin ”Gjergj Kastrioti -Skenderbeu”.
Të pranishmit në protestë janë duke protestuar kundër abuzimeve seksuale, pedofilisë, pas rastit të publikuar se profesori i dyshuar Shkëlzen Xhekaj kishte dhunuar nxënësen e tij 16 vjeçare.
Nis protesta në Drenas
Nën thirrjet "Po du msus jo përdhunus", ka nisur protesta para shkollës "Skënderbeu" në Drenas.
Protestës i janë bashkangjitur nxënës të shkollës së Drenasit, si dhe aktivistë nga qytetet e Kosovës.
Në protestë ka dalë edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ka thënë se do të flasë për media pas protestës.
Protesta "Pro mësimit, jo përdhunimit", më pas do të vazhdojë drejt stacionit policor të Drenasit.
Protestës i janë bashkangjitur edhe disa mësimdhënës.
Drejtpërdrejt nga protesta në Drenas
Në Drenas po protestohet kundër dyshimeve për dhunimin seksual të të miturës.
Rruga “Ajet Rrukiqi” nga shkolla e mesme e Gjimnazit “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” dhe rruga “Ilaz Kodra” nga rrethi deri te objekti i Komunës, do të jetë e bllokuar për automjete, thuhet në njoftim.
Komuna e Drenasit sugjeron qytetarët që gjatë kësaj kohe të bllokimit të rrugëve të përdorin alternativa të tjera të rrugëve.
Ndryshe, shoqëria civile dje në Prishtinë ka protestuar kundër abuzim seksual me të miturën.