KDI publikon “Transparometrin 2018”, kjo është komuna më transparente

Kosova

KDI publikon “Transparometrin 2018”, kjo është komuna më transparente

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 15:41
Komuna e Drenasit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe OJQ Aktiv përmes një konference, sot ka bërë publikimin e raportit “Transparometri 2018”, që vë në pah të gjeturat dhe rekomandimet nga matja e transparencës në 15 komuna të Kosovës.

Bazuar në matjet e 58 indikatorëve në katër shtylla, komuna më transparente doli ajo e Drenasit, duke përmbushur 82.22% të indikatorëve, ndërsa më pak transparente ishte ajo e Mamushës duke përmbushur 27.12% të indikatorëve.

Subjekt i këtij indeksi të transparencës ishin komunat: Drenas, Mitrovicë e Jugut, Viti, Malishevë, Klinë, Dragash, Kamenicë, Graçanicë, Obiliq, Shtërpcë, Mamushë, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Për nga transparenca prin Drenasi me 82.22%, pasuar nga Mitrovica e Jugut me 77.97%, Vitia 72.88%, Malisheva 72.88%, Klina 68.66 %, Dragashi 64.41%, Kamenica 62.71%, Shtërpca 56.78%, Graçanica 54.24%, Obiliqi 53.39% dhe  Mamusha me 27.12%.

Komunat në veri të Kosovës nuk u vlerësuan me pikë për shkak të arsyeve politike.  Ismet Kryeziu, drejtor Ekzekutiv i KDI-së ka theksuar se  mungesa e transparencës, pjesëmarrja e mangët e publikut në vendimmarrje dhe etika jo e mjaftueshme në qeverisje, nuk janë sfidë vetëm për institucionet lokale por edhe për qeverisjen në nivel qendror. 

“Prandaj KDI dhe projekti të cilin ajo po e zbaton në këto komuna synon të ulë riskun e keq-qeverisjes, të rrisë besimin qytetar në institucione dhe pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje”, tha ai.  Ambasadori britanik në Prishtinë Ruairi O’Connell, ka theksuar se qytetaria aktive është çelësi i demokracisë.

“Ne kemi një shprehje në Britani se ‘dituria është fuqi’. Nëse qytetarët janë të angazhuar në procesin demokratik, fuqia e tyre rritet. Sa më shumë informacion që qytetarët kanë për mënyrën se si përfaqësuesit e tyre po qeverisin, aq më shumë ata mund t'u kërkojnë atyre llogari. Sa më shumë që bëjnë pyetje, aq më të përgjegjshëm bëhen politikanët e tyre. Dituria është fuqi. Dhe dituria e vënë në duart e njerëzve është një gjë e fuqishme. Por gjithashtu kjo fuqi nuk ka domethënie nëse nuk përdoret nga njerëzit”, tha ai.

Përfaqësuesit e komunave të përfshira në këtë publikim, janë pajtuar me të gjeturat e raportit dhe kanë shprehur përkushtimin për ngritjen e mëtejme të transparencës së institucioneve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat