Sonte mblidhen fonde për strehimoren e grave dhe fëmijëve

Kosova

Sonte mblidhen fonde për strehimoren e grave dhe fëmijëve

Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 15:47
Ilustrim

Sot kur nëpër botë dashuria festohet me dhurata të shtrenjta, në klubin M, Shën Valentini do të shënohet më ndryshe - duke mbledhur fonde për strehimoren e grave dhe fëmijëve.

Me fillim nga ora 23:00, aty do të prezantohet dhe promovohet iniciativa për mbledhjen e fondeve për Qendrën për Mbrojtën e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë.

Kjo iniciativë e nisur nga Blerta Avdili dhe Jeta Xharra, tashmë është hapur si kampanjë edhe në platformën Go fund me, ku të interesuarit mund të japin donacione edhe online.

Avdili në njoftimin e saj në "Go fund me", ka thënë se strehimoret po bëjnë një punë të madhe në ndihmesë të viktimave të dhunës, por sipas saj, po përballen me probleme financiare.

Për këtë arsye, ajo u ka bërë thirrje njerëzve që të kontribuojnë për këtë fond.

"E  di se parfumet dhe bizhuteritë  janë një mënyrë e shkëlqyer për të treguar dashurinë, por ruajtja e një strehe të sigurtë për motrat tona, për të cilët dashuria romantike është kthyer në ndjenjë që të shtrëngon e trishton kraharorin, është një mënyrë e mrekullueshme e përkufizimit më të gjerë të domethënies të dashurisë duke e kthyer atë në bamirësi", ka shkruar Avdili.

Deri më tani në platformën Go fund me, për këtë iniciativë kanë kontribuar dhjetëra njerëz dhe janë mbledhur mbi 4000 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat