Kërkohet ndërhyrja e Qeverisë për rrezikun nga asbesti

Kosova

Kërkohet ndërhyrja e Qeverisë për rrezikun nga asbesti

Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 20:06
Foto ilustrim

Pos prezencës së madhe të mbeturinave, Komuna e Hanit të Elezit është e mbushur me mbetje të asbestit, material i cili konsiderohet kancerogjen.

Organizata “Let’s do It Kosova”, ka pastruar mbeturina rreth kufirit në këtë komunë, duke thënë se është momenti i fundit që të bëhet diçka për shëndetin e këtyre banorëve, raporton ktv.

Shqetësues, sipas kryetarit të Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, është fakti se materialet prej asbestit janë ende në funksion.

Suma thotë se sasia e mbetjeve të asbestit vazhdon të jetë tejet e madhe, por që kërkesat e tyre nuk po merren parasysh nga Qeveria.

Ndonëse kjo komunë i ka larguar nga përdorimi gypat e ujësjellësit me këtë material, ka shumë të tjera që ende vazhdojnë t’i përdorin ato.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë se tashmë është ndarë buxhet dhe premton se këtë çështje do ta marrin më seriozisht.

Për prezencën e madhe të këtij materiali pati reaguar edhe Avokati i Popullit, duke konstatuar se mosndërmarrja e asnjë aktiviteti sensibilizues për vetëdijesimin dhe informimin e publikut për rrezikun që kanë materialet me përmbajtje asbesti, tregon dështimin dhe neglizhencën e autoriteteve kompetente për mbrojtjen e shëndetit të njeriut.

Gypat e azbestit janë përdorur në ujësjellës gjatë viteve 1930-1950. Edhe Instituti i Shëndetit Publik kishte konstatuar se fibrat e amiantit janë kancerogjenë dhe janë lehtësisht të transmetueshme në organizëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat