Remi: Nuk është e mjaftueshme të shpresojmë për një vit më të mirë, por të zotohemi

Kosova

Remi: Nuk është e mjaftueshme të shpresojmë për një vit më të mirë, por të zotohemi

Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 22:49
Rrustem Mustafa

Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa ka uruar qytetarët përvjetorin e Pavarësisë.

Në këtë fazë të shtet-ndërtimit, Mustafa thotë se nuk është e mjaftueshme që të shpresojmë për një vit më të mirë, por të zotohemi në veprimet tona.

Mustafa thotë se respektimit i rendit dhe ligjit duhet të jetë ndër kushtet që duhet marrë përgjegjësi secili.

Ndërsa, ka theksuar se rinisë duhet t’i krijohet hapësirë për zhvillim në të gjitha aspektet.

Sipas tij, për të garantuar një stabilitet rajonal duhet të bëhet sa më parë integrimi i forcës së sigurisë në NATO.

“Duke shpreh nderimet e mia për dëshmorët dhe të gjithë ata që nuk u kursyen aspak për shtet formimin e vendit tonë, andaj duke respektuar çdo mendim dhe besim të secilit prej nesh, le të fillojmë të reflektojmë mbi ato që po i themi. Qoftë me fat shteti ynë, gëzuar njëmbëdhjetë vjetorin e Pavarësisë Kosovë”, ka shkruar në fund komandant Remi.

Urimi i tij i plotë:

Urime Pavarësia!

Të nderuar qytetar/e, të gjithë ju shtet formues, jemi në ditët e festimit të ditëlindjes të çdo shtetasi të republikës së Kosovës.

Në këtë fillim të vitit të njëmbëdhjetë të shtet formimit më të ri në Evropë, do të vazhdojmë t`i mbrojmë vlerat më të çmueshme të njerëzimit “Të drejtat e Njeriut”, njëherit nuk dyshoj që këto vlera do të jenë në progres e sipër nga dita në ditë.

Në këtë fazë të shtet-ndërtimit mendoj se nuk është e mjaftueshme të shpresojmë për një vit më të mirë, por duhet të zotohemi Ne, Ju, të gjithë, që të jemi të vëmendshëm në veprimet tona.

Respektimi i rendit dhe ligjit, duhet të jetë njëri ndër kushtet që duhet t`ia vendosim vetes secili nga ne, duke marrë përgjegjësi.

Gjithashtu është e nevojshme të zhvillohemi dhe sillemi secili institucionalisht, duke krijuar kështu besim te çdo mekanizëm shtetëror e duke ndërtuar model të qëndrueshëm i cili do t’iu shërbej edhe gjeneratave që do të vijnë.

Përmbushja e këtyre objektivave do të kontribojë në integrimin në BE.

Rinisë në vendit tonë duhet t`i krijohet hapësirë për zhvillim në të gjitha aspektet dhe ajo duhet të marr pjesë në segmente të caktuara edhe në vendimmarrje, ndërsa në aspektin më të gjërë, për të gjithë qytetarët, duhet të kujdesemi që të respektohet çdo mendim e besim, duke ndërtuar kështu për ata një jetë dinjitoze e në harmoni me çdo qytetar të rajonit dhe më gjerë.

Për të garantuar një stabilitet rajonal duhet të bëhet sa më parë integrimi i forcës së sigurisë në NATO.

Nuk mund të mos e theksoj rëndësinë që e ka kontributi i vazhdueshëm për ngritjen e cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet, pasi që vetëm shoqëria e bazuar në njohuri shkencore dhe praktike të kohës do të jetë në gjendje të krijoj mirëqenie dhe zhvillim të qëndrueshēm.

Prandaj për të ndërtuar një të ardhme të sigurtë dhe një një shtet funksional gati çdo veprimtari është e lidhur drejtpërdrejt ose tërthorazi me arsimin.

Rendi dhe ligji

Duke u munduar që t`i përmendi disa nga vlerat më të çmueshme të popullit tonë, sot respektimi i rendit dhe ligjit në vendin tonë është në interes të të gjithëve për një shoqëri më të shëndoshë dhe më efikase.

Populli ynë është një ndër popujt të cilët njihen për vlerën e madhe të respektimit të traditave dhe rregullave të mirëfillta vetanake shoqërore.

Kjo gjë na e ka mundësuar që ne të mbijetojmë gjatë okupimit në dekadën e fundit të shekullit XX nën ligjet e huaja me ç’rast asnjëherë nuk jemi pajtuar me to.

Kēto norma shoqërore që na mbajtën për disa shekuj të bashkuar e të fuqishëm me dashurinë për vendin dhe të gatshëm për tu sakrifikuar për lirinë ishin udhërrëfyese për ne gjatë përpjekjeve vendimtare për lirinë tonë.

Andaj meqenëse vet vendosëm ligjin dhe rendin, nuk na mbetet tjetër veçse të transformojmë gjithë kulturën tonë të madhe tradicionale në respektimin e ligjit për të qenë një shoqëri e shëndoshë dhe demokratike.

Familja Europiane BE

Realiteti i fundit tregoi që ne kemi vëllezër dhe miç në shtetet fqinje, europiane e me gjerë pasi ata ishin promotorët kryesorë për shpalljen e pavarësisë, ata që në kohën më të vështirë ishin fuqizuesit më të mëdhenjë në çdo aspekt.

Sot integrimi i shtetit tonë në familjen evropiane BE nuk duhet të shihet si diçka e re për ne, por edhe si mundësi që të jemi afër familjarëve dhe intelektualëve tanë , për të cilët shteti ynë ka nevojë si dhe anasjelltas.

Përgjegjësi individualisht dhe institucionalisht

Kështu me përgjegjësinë individuale ndaj vetvetes në fillim si dhe ndaj familjes, punës, komunitetit e më gjerë, na jepet e drejta të zhvillojmë institucionet e përgjegjshme në shërbim të shtetit dhe qytetarëve duke orientuar shoqërinë tonë drejt një jete me standard më të lartë dhe duke qenë shembull për shtetet tjera që festojnë ditëlindjen me shekuj.

Praktikimi i ABC-së të demokracisë i mundëson çdo mekanizmi shtetëror të krijoj besueshmëri te çdo qytetar dhe anasjelltas.

Obelisku i pavarësisë- Universiteti

Sot ne duhet të përkulemi para institucioneve tona të dijës dhe t`i kushtojmë vëmendje të madhe ngritjes së vazhdueshme të cilësisë së tyre krahas atyre europiane sepse nga këtu do të ruhet e kaluara dhe do të ndërtohet e ardhmja.

Themelet e së sotmes u ndërtuan nga kontributi ynë vullnetar, andaj sot rinia jonë duhet të ketë vullnet dhe t`i vë objektivat e saja drejt të ardhmes së ndritshme, duke qenë aktive në vendimmarrje, të jetë zëri i fuqishëm i ruajtjes dhe zhvillimit të vlerave të demokracisë.

Shumica prej nesh, ishim pjesëmarrës në përdorimin e formës së fundit demokratike- luftës për liri dhe shtet formim.

Duke shpreh nderimet e mia për dëshmorët dhe të gjithë ata që nuk u kursyen aspak për shtet formimin e vendit tonë, andaj duke respektuar çdo mendim dhe besim të secilit prej nesh, le të fillojmë të reflektojmë mbi ato që po i themi.

Qoftë me fat shteti ynë, gëzuar njëmbëdhjetë vjetorin e Pavarësisë Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat