Presidenti: Ruajtja e status quo-s me Serbinë, opsion i gabuar dhe i paqëndrueshëm

Kosova

Presidenti: Ruajtja e status quo-s me Serbinë, opsion i gabuar dhe i paqëndrueshëm

Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 12:56
Hashim Thaçi ka marrë pjesë në konferencën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në konferencën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, të organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA).

Presidenti Thaçi ka thënë se më tepër se një vit jemi duke diskutuar për procesin më të rëndësishëm që kemi si shtet, nga e cili në masë të madhe varet qëndrueshmëria afatgjate e Republikës së Kosovës dhe anëtarësimi i saj në OKB, NATO dhe Bashkim Evropian.

“Të gjithë e dimë mirë që dialogu me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm. Ne duam që njëherë e përgjithmonë ta qartësojmë raportin tonë si shtet me shtetin e Serbisë, gjë që mund të arrihet vetëm përmes një dialogu, i cili ka objektiva të qarta, por edhe mbështetjen ndërkombëtare, në radhë të parë të SHBA-së dhe BE-së”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se u bënë njëzet vjet nga përfundimi i luftës dhe Kosova e Serbia ende nuk kanë arritur marrëveshje të mirëfilltë që do ta bënte paqen, bashkëpunimin dhe fqinjësinë e mirë, vlera të sigurta dhe të përhershme të këtyre relacioneve.

“Mbi një shekull kemi pasur armiqësi në raportet Kosovë – Serbi. Por, tani edhe unë besoj fuqishëm në këtë qëndrim, se ka ardhur koha për ta lënë prapa armiqësinë që ka prodhuar tragjedi të njëpasnjëshme në Kosovë, dhe për ta bërë Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve”, ka thënë presidenti Thaçi, duke e bazuar konkludimin e tij në tri argumente.

Së pari, presidenti Thaçi ka thënë se opsioni i ruajtjes së status quo-s në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili është mbështetur dhe ende mbështetet nga disa, është treguar i gabuar dhe i paqëndrueshëm.

“Unë mendoj se status quo-ja nuk paraqet as vendnumërim, por është kthim prapa. Në dymbëdhjetë muajt e fundit ka përkeqësim dhe regres në raportet e Kosovës dhe Serbisë. Nuk kam kurrfarë dyshimi që nëse këtë vit nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të hyjmë në një zonë të rrezikshme të këtyre raporteve, që mund ta destabilizojnë gjithë rajonin. Pra, përvoja e vitit të fundit vetëm sa ka sforcuar bindjen time që ka ardhur koha për ta arritur këtë marrëveshjen historike në mes të dy shteteve”, ka thënë presidenti Thaçi.

Image

Së dyti, sipas tij, vitin e kaluar të gjithë kërkonim me ngulm që SHBA-ja të ketë, në mënyrën më të drejtpërdrejtë të mundshme, një rol vendimtar në këtë dialog dhe në bërjen e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Letra që në muajin dhjetor mora nga presidenti Trump ishte një konfirmim i drejtpërdrejtë i përkushtimit politik dhe historik të SHBA-së për të na ndihmuar të dy shteteve, që ta arrijmë marrëveshjen ligjërisht detyruese”, ka thënë ai.

Së treti, presidenti Thaçi ka thënë se të gjithë ne, në këtë skenën e larmishme politike kosovare, e kemi një qëndrim unik se cili duhet të jetë emri dhe mbiemri i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Njohja eksplicite reciproke midis dy shteteve është çelësi që hap dyert e kësaj marrëveshjeje dhe mbyllë armiqësinë shekullore. Dhe pikërisht këto ditë, në letrat e presidentit Trump dhe të sekretarit të shtetit, Mike Pompeo, drejtuar lidershipit kosovar, kemi marrë garancitë më të qarta dhe më të fuqishme të mundshme nga SHBA-ja, se kjo marrëveshje historike në mes të Kosovës dhe Serbisë nënkupton njohjen reciproke”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ky është qëndrim i prerë i SHBA-së, presidenti Thaçi ka thënë se i është bërë me dije përmes letrës së presidentit Trump edhe autoriteteve më të larta të Beogradit.

“Ne nuk mund të kemi garanci më të mëdha se këto fjalë dhe këtë zotim të administratës së SHBA-së. Edhe në këtë konstatim, jam i sigurt që jemi të gjithë unikë”, ka thënë ai.

Ndërsa, kur bëhet fjalë për njohjen formale eksplicite në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, presidenti Thaçi ka thënë se do të ishte njeriu më i lumtur në Kosovë, nëse ajo do të bëhej pa kurrfarë dialogu shtesë, pa bisedime të reja të rënda në Bruksel dhe pa asnjë kompromis të dyanshëm.

Image

“Njohja e Kosovës nga Serbia pa kurrfarë bisedimesh dhe pa asnjë kusht, do të ishte konkludimi më i drejtë i këtij dialogu, që ka nisur tash e njëzet vjet në Konferencën e Rambujesë. Por, në politikë, e drejta shumë rrallë ngadhënjen. Dhe, siç e dimë ne shqiptarët e Kosovës më mirë se kushdo tjetër në këto anë të Evropës, ngadhënjimi i të drejtës kërkon sakrificë të madhe, vullnet të jashtëzakonshëm, por edhe përkrahje të veçantë ndërkombëtare, çfare dhe ne patëm në vitet e luftës dhe të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në fund, presidenti Thaçi ka thënë se e di që na presin bisedime të mundimshme në Bruksel me autoritetet më të larta të Serbisë, porse ne duhet të jemi të gatshëm që këmbënguljen tonë për njohje reciproke në mes të dy shteteve ta kthejmë në një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse me Serbinë.

“E kam lexuar me kujdes raportin e hulumtimit të opinionit publik të përgatitur nga Instituti RIDEA. Përshtypja ime kryesore është që objektivisht edhe opinioni i qytetarëve për vetë dialogun, për bërjen e një marrëveshjeje me Serbinë, por edhe për opsionet më të preferuara mbi të cilat do të duhej të ndërtohej kjo marrëveshje, korrespondon mirë me vlerësimet tona kryesore politike”, ka thënë ai.

Ky është një inkurajim, sipas presidentit Thaçi, që ta kryejmë detyrimin tonë ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ndaj shtetit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat