Kelmendi: Vitin e kaluar janë trajtuar mbi 1800 ankesa ndaj sjelljes së policëve

Kosova

Kelmendi: Vitin e kaluar janë trajtuar mbi 1800 ankesa ndaj sjelljes së policëve

Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 13:00
Kryeshefja e inspektoratit Policor të Kosovës Miradije Kelmendi

Pas raportimit të mbyllur për media për rastin e zyrtarit policor në Drenas, kryeshefja e inspektoratit Policor të Kosovës Miradije Kelmendi, ka dhënë edhe raportin vjetor të vitit 2018 të këtij institucioni në komisionin për Punë të Brendshme, ku tha se kanë trajtuar mbi 1800 ankesa ndaj sjelljes së policëve.

Sipas saj,  departamenti i hetimit,  ka hetuar 194 punonjës të policisë dhe janë bërë 12 arrestime.

Ndër inspektimet e jashtëzakonshme që janë kryer, Kelmendi ka përmendur rastin e dëbimit e gjashtë shtetasve turq si dhe dhomat e dëshmive në stacionin policor në veri të vendit.

Anëtari i komisionit, Rexhep Selimi, ka kërkuar të dijë se sa zyrtarë policorë janë akuzuar dhe arrestuar për marrje të ryshfetit.

Selimi po ashtu tha se ka pasur rritje të stafit por nuk ka raste të zgjidhura.

Kelmendi tha se vetëm një rast është raportuar dhe ka përfunduar me arrestim.

Pyetje pati edhe deputetja Aida Dërguti, ajo kërkoi të dijë më shumë rreth çështjes së policëve që janë përfitues të pensionit invalidor si veteranë të luftës.

 Kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës tha se këto raste nuk janë të kategorizuara dhe se do të fillojë intervistimi me dyshimin për veprim mashtrim.

Kurse, Xhelal Sfeqla pyeti se sa zyrtar të IPK-së janë të akuzuar, suspenduar dhe arrestuar gjatë vitit 2018.

Në përgjigjen e saj kryeshefja e IPK-së, tha se prej 2 gushtit që ajo është në këtë pozitë ka vetëm një zyrtar të suspenduar dhe rasti është në prokurori,  2 raste me aktakuzë të ngritur, ndërsa nuk ka  të larguar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat