“Finalja e Madhe” me Serbinë mbledh krerët institucionalë e politikë në Kosovë

Kosova

“Finalja e Madhe” me Serbinë mbledh krerët institucionalë e politikë në Kosovë

Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 14:03
Pamje nga konferenca

“Finalja e madhe” në mes të Kosovës dhe Serbisë mblodhi të gjithë krerët politik, e institucional të mërkurën në Prishtinë.

Aty mungoi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërkohë presidenti dhe liderë të partive politike shprehën qëndrimet e tyre rreth dialogut me Serbinë për një marrëveshje finale, e cila sipas tyre duhet të rezultojë me njohën e Kosovës nga Serbia. Diskutimi u bë në kuadër të tryezës së organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit, me temën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se nëse sivjet nuk arrihet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë, mund të destabilizohet i gjithë rajoni.

Në fjalimin e tij, Thaçi tha se shkëmbimi i territoreve është pazar dhe askush nuk duhet të lejojë që diçka e tillë të ndodhë.

Por sipas tij, duhet të respektohen të drejtat legjitime të shqiptarëve në Luginë.

Thaçi: Nëse këtë vit nuk arrihet marrëveshja, mund të destabilizohet rajoni

“Nëse këtë vit nuk do të bëjmë marrëveshje ligjërisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë do të hyjmë në një zonë të rrezikshme të këtyre raporteve që mund të destabilizojnë gjithë rajonin”, tha ai.

Tutje, Thaçi tha se nuk duhet lejuar mundësia e organizimit të një konferencë ndërkombëtare.

Thaçi: Nuk duhet të diskutojmë mundësinë e mbajtjes së një konference ndërkombëtare    

“Në takimin e fundit që e kemi pasur edhe me liderët partner të koalicionit kam propozuar një draft rezolutë që do të ia propozoj Kuvendit të Kosovës, që Kuvendi i Kosovës të nxjerr një rezolutë shumë të shkurtë por të qartë, që Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështetë të drejtën e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, për bashkëngjitje me territorin e Republikës së Kosovës, pikë….Duhet të jemi shumë të kujdesshëm me aleancat lokale sepse shqiptarët nuk kanë fituar kurr prej aleancave lokale, aleanca e Kosovës ,dhe shqiptarëve është NATO, partneriteti special me SHBA, dhe perspektiva e ardhshme e BE-së. Nuk duhet të lejojmë dy gjëra që të diskutohen: aleancat lokale dhe mundësia e organizimit të një konference ndërkombëtare që nënkupton inkorporominin e Rusisë në tryezë”, tha Thaçi. 23.9

Ndërsa kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti theksoi domosdoshmërinë e pajtimit të spektrit politik në Kosovë karshi kërkesave ndaj Serbisë. Sipas tij, mund të arrihet një konsensus në këtë çështje.

Duke folur për idenë e korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti tha askush nuk ka të drejtë falë tokë të Kosovës.

Kurti: As dëshmorët po u ngritën nuk kanë të drejtë të falin tokë të Kosovës

“Qëndrimi i qytetarëve është dhënë edhe në protestën masive, madhështore të 29 shtatorit të vitit të kaluar dhe do të mund të ipet edhe më fuqishëm në protestat e ardhshme. Unë po e përfundoj fjalën time fillestare duke theksuar që as dëshmorët ndër varre po u ngritën, nuk kanë të drejtë të falin tokë të Kosovës, lere më njerëzit e gjallë”, tha ai.

Kurti tha se qëllimi i Serbisë dihet, që sipas tij, është projekt i vjetër me akterë jo të rinj.

“Ne e dimë çka donë Serbia, ajo e thotë hapur dhe qartë. Delimitim, përkufizim me shqiptarët, praktikisht ndarje të Kosovës, për të vazhduar pastaj demilitim me Kroacinë për ndarjen e Bosnjës. Projekti është i vjetër, që besa as akterët nuk janë të rinj”, tha Kurti.

E sipas Lutfi Hazirit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, problemi me Serbinë është territorial.

Haziri tha se Kosova nuk duhet të japë territor, por as nuk duhet të injorojë të drejtat e shqiptarëve në Luginë.

Haziri: Problemi me Serbinë është territorial

“Personalisht si Lutfi Haziri mendoj që problemi me Serbinë është territorial dhe duhet me u zgjedh në këtë parim. Jo me i dhënë Serbisë, asnjëherë BE-në me më pyet mu, pse me ia ofru perspektivën e BE-së, nëse dikush ka me dhënë le të jep sa të do. Unë Serbisë jam me ia marrë Preshevën, Medvegjën, Bujanocin, në parimin e kufijve komunal, në parimin e pronave dhe në parimin kadastral. Të tre këto kushte në përcaktim të qartë i takojnë shumicës së popullatës që jetojnë atje, edhe shumicën e pronarëve të tokave e kanë shqiptarët, edhe në parimin kadastral shumicën e vendbanimeve e kanë shqiptarët, dhe në parimin e kufijve shumicën e bëjnë shqiptarët”, tha ai.

Pjesë e tryezës ishte edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj i cili është bashkëkryesues i delegacionit shtetëror për bisedimet me Serbinë.

Ai theksoi se dialogu duhet të ketë vetëm një titull, që sipas tij duhet të jetë ‘dialogu për njohjen e Kosovës’.

Limaj: Nëse Serbia nuk është e gatshme të bisedojë për njohje, e presim

“Kjo këtu sot në të cilën po duam me u fut duhet ta ketë titullin, duhet të jetë ‘dialogu për njohjen e Kosovës’, atje shkojmë me qartësi të plotë, atje duhet të shkojmë për njohje, njohjen e Kosovës nga Serbia. Nëse nuk janë të gatshëm Serbia të ulet për të njohur Kosovë, e presim kur ata të jenë gati. U pa me 2011-2017 që normalizim mes Kosovës dhe Serbisë është vështirë të arrihet pa pasur njohje reciproke, pa respektuar njëri tjetrin. Në fakt emri i normalizimit të marrëdhënieve në shumë raste ka prishur marrëdhëniet e normalizuara ndoshta 2008-2010, veç ka dëmtuar në shumë fusha”, tha Limaj.

Sondazhi i cili u prezantua sot nga “RIDEA” tregon se popullsia serbe dhe shqiptare flasin me zëra të ndryshëm sa i përket vijave të kuqe për dialogun me Serbinë, por që ndajnë të njëjtin qëndrim sa i përket vazhdimit të dialogut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat