Tragjedia në familjen Haliti nga Podujeva, 24-vjeçarja humb gjymtyrën nga shpërthimi i granatës

Kosova

Tragjedia në familjen Haliti nga Podujeva, 24-vjeçarja humb gjymtyrën nga shpërthimi i granatës

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 10:42
Shtëpia ku 24-vjeçarja e gjeti granatën

Një granatë e gjetur në oborrin e një shtëpie të braktisur i shkaktoi lëndime të rënda trupore 24-vjeçares Qëndresa Haliti nga fshati Kërpimeh, i komunës së Podujevës. Nga shpërthimi dhe katër anëtarëve të tjerë të familjes së saj, nëna, vëllai, një e afërme si dhe një fëmijë trevjeçar morën lëndime trupore. Qëndresa mbeti në gjendje kome për më shumë se një javë; gjendja shëndetësore iu përmirësua gjatë javës që e lamë pas. Media ju sjellë rrëfimin e familjes për këtë ngjarje

Copëza granate ende gjenden në hyrjen e shtëpisë së familjes Haliti, nga fshati Kërpimeh, i komunës së Podujevës. Aty para dy javësh shpërtheu një granatë dore, duke bërë që pesë anëtarë të familjes të marrin lëndime të rënda trupore.

E gjithë ngjarja ndodhi të shtunën e nëntë shkurtit. Një granatë i shpërtheu në dorë 24-vjeçares Qëndresa Haliti, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Si pasojë e shpërthimit, Qëndresa humbi njërën gjymtyrë të poshtme si dhe mori lëndime të tjera trupore. Ndërkohë, edhe katër anëtarë të tjerë, nëna, vëllai, një e afërme si dhe një fëmijë trevjeçar morën lëndime trupore nga shpërthimi.

Express, gjatë ditës së sotme ka qëndruar në shtëpinë e Qëndresës. Axha i saj, Kadriu, ka shpjeguar se si kishte ndodhur e gjithë ngjarja.

Sipas tij, në ditën kritike, Qëndresa kishte shkuar për ta pastruar oborrin në një shtëpi të braktisur, në të cilën kishte jetuar një serb e që është ngjitur me shtëpinë e saj. Por në oborr, ajo kishte vërejtur një mjet të dyshimtë që doli të jetë granatë dore.

E kishte marrë mjetin, e kishte dërguar brenda shtëpisë për t’ua treguar familjarëve. Por, granata kishte shpërthyer disa minuta pas, në daljen e sallonit në të cilin po qëndronin afro 20 persona duke bërë kështu që lëndime të marrin Qëndresa, një fëmijë 3 vjeçar, nëna e qëndresës, si dhe vëllai 33 vjeç. 

“Gjatë kësaj jave Qëndresa ka dalë nga koma. Ajo është një vajzë shumë punëtore. Gjithmonë ka punu. Në ditën kritike, Qëndresa kishte shkuar në shtëpinë afër saj që ta pastronte oborrin. Atje ka gjetë diçka të dyshimtë”, shpjegon axha i Qëndresës.
Ai thotë se në ditën kritike e gjithë familja kishin qenë duke qëndruar në para dhomën e shtëpisë dy katesh.

“Familja e saj kanë qenë të gjithë duke qëndruar këtu në korridorin e shtëpisë. Atë ditë kishin pasur mysafir. Të gjithë më fëmijë ë të tjerët po qëndronin këtu jashtë. Çika ka ardhë këtu  ku qëndronin të tjerët dhe me granatë në dorë, për t’ia treguar prindit të saj. Kur e ka ulë dorën, i ka pëlcitë në dorë tek dera e hyrjes. Shpërthimi i ka rrokë 5 anëtarë të familjes. E ka rrokë, vëllain e çikës, motrën dhe një bijë ka qenë këtu. Një fëmijë në djep e ka rrokë edhe nëna e cikës e ka copën e granatës në krah”, rrëfen tutje për ngjarjen ai.

E nga shpërthimi i granatës, axha i Qëndresës tregon se e gjithë dhoma kishte qenë e mbushur me gjak dhe pjesë trupi.

“E gjithë pjesa këtu ka qenë veç gjak edhe pjesë të trupi. Qëndresa nga lëndimi e  ka të amputuar njërën këmbë deri lart. E ka të dëmtuar njërin sy, buzën”.

Qëndresa vijon studimet për drejtësi në fakultetin Juridik. Familja e përshkruajnë si vajzë të zgjuar dhe shumë punëtore. Ajo ka pesë motra dhe katër vëllezër.

Ndërkohë, me rastin tashmë po merret edhe policia e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat