Koordinatori Hoti takohet me drejtorët e shkollave boshnjake

Kosova

Koordinatori Hoti takohet me drejtorët e shkollave boshnjake

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 13:47
Pamje nga takimi

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, u takua sot me udhëheqësit e Institucioneve Edukativo-Arsimore të Komunës së Prizrenit nga komuniteti boshnjak të cilëve u shpalosi Programin Nacional për Rininë.

“Me Programin Nacional për Rininë edhe nxënësit e komunitetit boshnjak do të kenë mundësinë të jenë të barabartë në garë me moshatarët e tyre nga komunitetet tjera. Po ashtu, në të ardhmen këta nxënës do të mund të garojnë edhe me moshatarët e komunitetit boshnjak në Bosnje, Sanxhak e Mal të Zi. Të gjitha dokumentacionet e programit janë të përkthyera edhe në gjuhën boshnjake në mënyrë që të sigurojmë gjithëpërfshirjen si pikë themelore të programit. Unë pres që nxënësit boshnjakë të tregojnë frymën dhe shpirtin garues”, tha  Koordinatori Hoti.

Hoti ishte i shoqëruar nga Zëvëndësministri për Arsim, Shkencë dhe Teknologji nga radhët e komunitetit boshnjak Bajrush Sezairi, i cili ofroi mbështetje për programin.

“Unë ju premtoj që ju do ta keni mbështetjen time për këtë program sepse është një mundësi e jashtëzakonshme për nxënësit e komunitetit boshnjak dhe jo vetëm. Jam shumë i lumtur që nxënësve tanë po u ofrohet mundësi për t’u përfshirë në garë pa dallim”, tha Sezairi.

Ndërkaq, drejtorët e shkollave e mirëpritën programin duke thënë se do t’u shërbejë për të mirën e përgjithshme.

Programi Nacional për Rininë do të zbatohet në të gjitha shkollat e Kosovës në tri nivele: niveli Shkollor, Komunal dhe Republikan i garave në dituri, kreativitet kulturor dhe mendim kritik, si dhe në sport.

Për më shumë, në garë do të përfshihen rreth 340 mijë nxënës dhe rreth 110 mijë student të të gjitha komuniteteve. Gara në dituri do të zhvillohet nëpërmjet testeve në të gjitha lëndët e arsimit parauniversitar.

Gara në kreativitet kulturor dhe mendim kritik do t’u mundësojë nxënësve dhe studentëve t’i shprehin aftësitë krijuese dhe fuqinë e mendimit nëpërmjet krijimeve kreative. Ndërsa, gara në sport do të zhvillohet në formë të kampionateve në pesë disiplina: atletikë, shah, volejboll, basketboll dhe futsall.

Programi Ndërshtetëror për Rininë ndërkaq, parasheh garat në nivel rajonal me shtetet tjera ku përfshihet edhe Shqipëria dhe shtetet e rajonit.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat