Debat i nxehtë për mos raportimin e Ministrisë së Bujqësisë

Kosova

Debat i nxehtë për mos raportimin e Ministrisë së Bujqësisë

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 14:15
Komisioni për Bujqësi

Sërish është zhvilluar një debat i nxehtë në Komisionin për Bujqësi për mos raportimin e drejtuesve të Ministrisë së Bujqësisë lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e miliona eurove për grante.

Fillimisht anëtari i Komisionit, Sali Zyba nga LVV, ka kërkuar që të raportohet nga ana e Ministrisë së Bujqësisë për skandalet të cilat kanë ndodhur në këtë ministri.

Zyba theksoi se nuk mund të flitet sot në këtë komision për projektligjin e pijeve alkoolike pa folur për milionat e keqpërdorura në Ministri të Bujqësisë.

Zyba: Bëhet fjalë për keqpërdorimin e miliona eurove

“Kam disa prej rasteve të skandaleve, nuk ka qenë një, janë disa. Nëse ne flasim për skandalin për grante, ku është skandali për vetura. Nuk mundet një prej Agjencisë me na raportuar për veturat. Nëse nuk ka shtyrje unë nuk e shoh mundësinë me dhënë kontributin tim në këtë mbledhje. Sepse ky është problem politik… Janë në pyetje miliona”, ka thënë Zyba.

Edhe Besa Gaxherri, anëtare e komisionit nga LDK, ka thënë se është e papranueshme që nuk po raportohet nga zëvendësministri i Bujqësisë për skandalet.

Gaxherri: Është shqetësuese përse nuk raporton zëvendësministri i Bujqësisë

“Edhe mua më shqetëson qysh nuk ka zëvendësministër, i cili ka marrë përgjegjësitë prej ditës së parë për këtë dikaster që është jetik për Kosovën dhe duke pasur parasysh që secila ministri e juaj i keni ka pesë apo gjashtë zëvendësministra, ndërsa ne i kemi dy, tri mbledhje që kërkojmë me na ardhur ministri, por duke pasur parasysh që ministri (është problematika e tij) edhe pa u shkarkuar ka qenë jo i gatshëm me na raportuar korrekt, mirëpo unë nuk e arsyetoj në këtë rast as qeverisë e as dikasterin me zëvendësministra që janë shumë aty dhe nuk është në gjendje një me ardhur në mënyrë zyrtare”, tha Gaxherri.

Kryetari i Komisionit Muharrem Nitaj ka thënë se duhet përmendur që komisioni është shqetësuar për gjendjen në Ministrinë e Bujqësisë në mungesë edhe të titullarit kryesor në këtë ministri.

Nitaj ka thënë se nuk ka autoritet që t’i sjellë drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë me dhunë në komision.

Nitaj: Nuk mund t’i detyroj me dhunë që të vijnë të raportojnë në komision

“Unë nuk e kam instrumentin, as mekanizimin që e detyroj asnjë prej ministrave me dhunë me ardhur me raportuar në komision, e as të zëvendësministrave. Zotimi im ka qenë që unë do t’i shkruaj letër sot kryeministrit të Kosovës dhe do të kërkoj prej tij që ta autorizoj një njeri që do të raportoj në Komision. Përtej kësaj, këtë mesazh e kam përcjellë edhe me gojë dhe letra është këtu që e kam nënshkruar dhe dërgua që të nesërmen. Kaq kam mundur me bërë dhe kaq mund të bëjë”, deklaroi Nitaj. 

Deputeti Andin Hoti ka thënë se përgjegjëse për grante është Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë e jo Ministria e Bujqësisë.

Hoti: Për grantet duhet të ftohet kryeshefi AZHB-së

“Grantet dhe subvencionet lidhen direkt me Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, jo me Ministrinë e Bujqësisë. Me dal prej kësaj krize, mendoj se është më e lehtë nëse e ftojmë kryeshefin e Agjencisë dhe ai na raporton për këto gjëra. Nuk ka nevojë ministri apo zëvendësministri”, tha Hoti.

Ganimete Musliu tha se meqë janë tre zëvendësministra në Ministri të Bujqësisë, duhet të ftohen të gjithë ose një prej tyre me emër, sepse nuk ka zëvendësministër të parë ose ushtrues detyre që prej kur është shkarkuar ministri Nenad Rikallo.

Musliu: Zëvendësministrat duhet të ftohen me emër për raportim

“Ne e kemi një problem se kemi shumë zëvendësministra, por meqë këtu(në ministri të Bujqësisë) nuk paskemi zëvendësministër të parë ose u.d. dhe qenkan tre zëvendës ministra, është mirë me i ftuar të tre zëvendësministrat me raportuar për këtë problem dhe zgjidhet problemi… sepse nëse ne themi ftohet zëvendësministri dhe s’ia kemi shkruar emrin, ata nuk vijnë asnjë. Me ju shkruar me emër”, ka thënë Musliu.

Ndërsa, pas këtij debati për raportimin e granteve, Zyba kërkoi që kjo mbledhje të shtyhet deri sa të raportohet nga ana e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, por nuk e mori përkrahjen e anëtarëve të tjerë, për çka ndikoi në lëshimin e mbledhjes nga Zyba.

Me propozim të kryetarit të komisionit është futur në rend të ditës dhe miratuar në lexim të dytë projektligji për shërbime të ujit.

Po ashtu, komisioni në parim ka miratuar projektligjin për pijet e forta alkoolike, si dhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-247.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat