Gratë artiste rrëfejnë angazhimin e tyre për të drejtat e grave gjatë viteve 90-ta

Kosova

Gratë artiste rrëfejnë angazhimin e tyre për të drejtat e grave gjatë viteve 90-ta

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 14:28
Gratë artiste rrëfejnë angazhimin e tyre për të drejtat e grave gjatë viteve 90-ta

Roli i grave artiste në edukimin dhe avancimin e të drejtave të vajzave dhe grave gjatë viteve 90-ta në Kosovë u vlerësua lart në një debat që Galeria Kombëtare e Kosovës në bashkëpunim me British Council e kanë mbajtur në kuadër të ekspozitës “Përceptimet: BURRNESHAT”.

Aktorja njëkohësisht bashkëthemeluesja e shoqatës, “Motrat Qiriazi”, Safete Rogova tha se me anë të kësaj shoqate, qysh në vitet e 90-ta janë munduar që t’i kushtojnë rëndësi shkollimit të vajzave dhe grave, si dhe në rritjen e të drejtave të tyre, sidomos në fshatin e Hasit.

Sipas saj, atë kohë ishte shumë e nevojshme sepse shkollimi i vajzave ishte shumë i vështirë dhe se me arritur në këtë fshat, aty e kanë gjetur një përkrahje të madhe prej grave atje.

Mes tjerash, Rogova tregoi se qysh në atë kohë ka bërë një shfaqje për jetën e vështirë të grave nga Hasi, në mënyrë që t’i stimuloi për angazhim më të mirë të drejtave të tyre.

Rugova: Kemi filluar qysh prej veshjes

“Meqë isha aktore unë kisha shumë, ne dhe jemi shpirt shqetësues dhe shumë i ndjeshme. Kur kemi shkuar në vizita në familje dhe kemi parë gjendjen e grave dhe të vajzave, do me thanë isha shumë e ndjeshme dhe në atë aspekt kam menduar diçka artistike me bërë. Menjëherë kemi filluar, se unë kam bërë disa projekte të vogla artistike, kemi filluar qysh prej veshjes, ato kanë një veshje shumë karakteristike ndoshta veshja më e bukur që ekziston në Kosovë, apo trevat shqiptare është veshja e Hasit.... përveç aktivitetit që kemi shkuar në Has për shkollimin e vajzave, do me thanë nga ana artistike unë mendova me bërë disa performanca me rrëfime të grave hasiane, sepse ato kanë rrëfime shumë të bukura pak rrenqethëse, por megjithatë ishin optimiste”, deklaroi, aktorja Rugova. 

Ndërsa, motra e Safetës, drejtoresha e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, Igballe Rugova u shpreh se qysh në fillim vitet 90-ta, në kuadër të shoqatës, “Motrat Qiriazi”,  kanë punuar që të ngritin të drejtat e grave dhe vajzave në këtë kohë.

Sipas saj, ky angazhim në vitet e 90-ta nuk ka qenë i lehtë, sepse gjithçka që ka ndodhur ka qenë në kohën e okupimit.

Rugova: Nuk ka qenë lehtë me punuar

“Është me rëndësi të dëgjohen storjet qysh tha dhe Safetja se në atë kohë, po flasim gjithmonë jeni duke folur për kohën e okupimit. Gjithçka që ka ndodhur ka qenë në kohën e okupimit. Do me thanë nuk ka qenë lehtë atëherë me punuar, por sot po na ktheni prapa, veç po i ndjej emocionet e Safetës, se nuk është lehtë me kujtuar atë periudhë...prej se kemi filluar shoqatën, Motrat Qiriazi e kemi filluar me kurset kundër analfabetizmit, por pastaj jemi orientuar në këtë rajonin e Hasit që e përmendi Safetja se ishte arsyeja shkollimi i vajzave”, tha aktivistja Rugova.

Artistja tjetër, tashmë profesoresha në Fakultetin e Arteve, Zake Prelvukaj tha se dhe shkollimi në vitet e 90-ta, ishte shumë i vështirë. Ajo tregoi për ligjëratat e saja në atë kohë për studentët.

Sipas saj, edhe në atë gjendje pa kushte elementare janë munduar që të shpërfaqin dije për studentët.

Prelvukaj: Kur jam hy në atë shtëpi, unë nuk e ndihsha që jam profesoreshë

“Dita e parë e mësimit ishin objektet e improvizuara në qytezën Pejton, ishte një shtëpi. Kur jam hy në atë shtëpi, unë nuk e ndihsha që jam profesoreshë. Sot mendoj që ishte mirë që isha profesoreshë, por më së pari mendojmë që jemi njerëz. Ishin perdet krejt kështu, të mbyllura, sa me i la balt dilke. Unë i marr në shtëpi dhe më thoni pse ti profesoreshë me i la perdet e akademisë”, shtoi ajo.

Kurse, regjisorja dhe skenaristja,  Blerta Zeqiri u shpreh se dhe pse në atë kohë ka qenë adoleshente, ka bërë muzikë që përmes asaj të paraqet problemet  që kanë qenë në vitet e 90-ta dhe të nxis të ketë aktivizim më të madh për të  drejtat e tyre.

“Zeqiri: Atë kohë kam kënduar për problemet dhe gjërat që neve na kanë preukupuar

“Atë kohë kam kënduar për problemet dhe gjërat që neve na kanë preukupuar, që mua më kanë preukopuar si fëmijë asaj kohe, e që problemet tona kanë qenë të llojeve të ndryshme. Për shembull e përshkrujsha shkollën qysh po shkon jeta në shkollë dhe në atë kohë për neve ishte, e kishim një klasë tepër të vogël, dykatëshe, pa gilindera”, tha skenaristja, Blerta Zeqiri

Ekspozita, "Përceptimet: Burrneshat", është hapur në Kosovë me datë 25 janar, e kuruar nga Arta Agani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat