Shumë dëme nga erërat e forta në rajonin e Pejës dhe Prishtinës

Kosova

Shumë dëme nga erërat e forta në rajonin e Pejës dhe Prishtinës

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 19:51
Prishtinë

Dëme materiale kanë shkaktuar erërat e forta të së shtunës mbrëma në rajonin e Pejës. Shumë shtylla elektrike, pullaze e objekte të tjera, janë demoluar nga erërat.

Banorët thonë se kjo ndodh sa herë që ka erëra.

Në Stacionin e Autobusëve në Pejë, erërat rrëzuan një hekur i cili ra mbi një autobus.

Ndeshja e dy kabllove elektrike nga erërat, dyshohet se ishte shkaktare e djegies së kulmit të shtëpisë së Sejdi Hashanit në komunën e Obiliqit, raporton KTV.

Dëmet në rrjetin elektrik i kanë konfirmuar edhe në KEDS.

“Kemi dhjetëra shtylla elektrike të rrëzuara nga erërat dhe përçues të këputur. Gjendja më e keqe është në rajon të Pejës, ku kemi pasur 8 prishje. Ekipet i kemi në terren dhe po sanojnë dëmet në kohën më të shkurtër të mundshme. Në regjionin e Prishtinës kemi 4 prishje”, ka thënë Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS’it.

Erërat, dëme në shtylla elektrike kanë shkaktuar edhe në Istog, Drenas e Graçanicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat