Rreth 1 mijë e 900 nxënës braktisën shkollën për një vit në Kosovë

Kosova

Rreth 1 mijë e 900 nxënës braktisën shkollën për një vit në Kosovë

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 21:19
Foto ilustrim

Shpërnguljet e mëdha të popullsisë nga vendet rurale në ato urbane, dalja jashtë Kosovës për në vendet e BE-së dhe rënia e natalitetit, ka bërë që shumë shkolla të komunave të Kosovës në viset rurale të mbesin më pak nxënës, madje disa prej tyre edhe të mbyllën.

Vetëm gjatë këtyre muajve të vitit 2019, janë parë në rrjete sociale disa largime të nxënësve prej shkollave ku kanë vijuar mësimin, ku shumica prej tyre për shkak të bashkimit familjar, pra shkuarjen në vendet e BE-së me familje.

Gjatë vitit 2017/2018 sipas statistikave të MASHT-it, 1870 nxënës kanë braktisur mësimet për arsyeje familjare, sociale e faktorë tjerë.

Braktisja e shkollës në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët

Siç shihet edhe në këtë tabelë, 228 ka qenë numri i nxënësve që kanë braktisur shkollën në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët, ndërsa 1642 shkollën në arsimin e mesëm të lartë.

Por, braktisja më e madhe e shkollës ka qenë në vitet 2009/2010. Sipas këtyre statistikave, numri i nxënësve që kanë lënë shkollën në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët është 1920, ndërsa shkollën e mesme të lartë e kanë braktisur 3 mijë e 208 nxënës.

Braktisja e shkollës në arsimin e mesëm të lartë

Ky numër ka rënë në vitet pasuese ku në 2010/2011 numri i atyre që kanë lënë shkollën është 4620.

Ky numër me pas në vitin 2014 ka rënë 1408, një rënie e madhe nga mbi pesë mijë sa ka qenë më parë.

Në një përgjigje me shkrim nga MASHT për Io thuhet se braktisjen më të madhe e ka Peja, pastaj Gjakova e kështu më radhë.

Mirëpo, theksohet se raportimi për braktisjet e shkollës nuk është i mjaftueshëm nga komunat.

“Sipas raportimeve në SMIA, braktisjen më të madhe e ka Peja, pastaj Gjakova, Fushë Kosova e Prizreni, mirëpo e dimë që raportimi nuk është i mjaftueshëm nga komunat. Ka komuna që nuk kanë raportuar fare ndërkohë që kanë nxënës braktisës”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Mirëpo, sipas Drejtuesit të Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci, shkalla e braktisjes së shkollimit në Kosovë në krahasim me vendet evropiane është më e ulët.

Ai ka theksuar se ndryshe se si ishte situata në fillimit të shekullit, tani ka një avancim të ndjeshëm, sidomos tek vajzat.

“Shkalla e braktisjes së shkollimit në Kosovë është më e ulët se në secilin vend evropian: 0.1% në arsimin e obligueshëm dhe 1.8% në arsimin e mesëm të lartë. Në rastin e arsimimit të obligueshëm kjo paraqet një avancim të ndjeshëm në raport me situatën e fillimit të shekulli, kur braktisja ka qenë dukuri në disa zona të vendit, sidomos tek vajzat. Braktisja në arsimin e mesëm të lartë kryesisht ndodhë tek djemtë, për shkaqe ekonomike dhe mendoj se do të ishte më e madhe sikur të kishte më shumë mundësi punësimi, pasi kështu ndodhë në të gjitha vendet e zhvilluara. Pra, nuk bëhet fjalë për ndonjë situatë alarmante, por shkollat duhet të luftojnë për secilin nxënës”, ka thënë Popovci.

Sipas tij, statistika zyrtare raporton se rreth 5% e fëmijëve të moshës 6-14 vjeç janë jashtë arsimit të obligueshëm.

“Arsyet për këtë duhet analizuar, pasi një gjë e tillë nuk është bërë deri tani. Mund të ndodhë që problemi qëndron tek shpërngulja e familjeve jashtë vendit ose tek regjistrimi i vonë i disa fëmijëve në klasën e parë. Apo edhe mund të ketë gabime në statistika për shkak të vlerësimit jo të saktë të popullsisë”, ka thënë mes të tjerash ai.

Zyrtarë nga MASHT kanë thënë se arsyet për braktisjen e shkollës nga të dy gjinitë janë kryesisht sociale e familjare, por edhe individuale.

“Por nëse i trajtojmë të gjithë faktorët në tërësi që ndikojnë në braktisjen e shkollimit, janë si në vijim: Faktorët individualë si sëmundjet e ndryshme, aftësitë e kufizuara, martesa e hershme, përkrahja e vogël nga familja, përfshirja në dukuri negative, përdorimi i narkotikëve, qasja individuale ndaj arsimit, etj. Faktorët familjarë si mungesa e kujdesit adekuat prindëror (pa të dy ose njërin prind dhe shkurorëzimet), niveli i arsimimit të prindërve, mentaliteti kulturor i familjeve, mos-bashkëpunimi/mos-adaptimi i familjes me rrethin (sidomos i familjeve të migruara); fëmijët si mbajtës të familjes, etj. Faktorë shkollorë si pozita gjeografike e shkollave (rreziqet gjatë udhëtimit sidomos në zonat malore, relacionet) arsimtarë-nxënës dhe anasjelltas, nxënës-nxënës (sjelljet joadekuate, vlerësimet jokorrekte, dhuna, keqpërdorimi i teknologjisë informative, etj.), mungesa e shërbimeve adekuate profesionale në trajtimin e problemeve brenda shkollës, niveli jo i duhur i bashkëpunimit të shkollave me shërbimet dhe faktorët socialë, ku përfshihen problemet sociale/varfëria, niveli jo i duhur i bashkëpunimit ndër-institucional dhe me komunitetin, dukuritë negative brenda shoqërisë, lëvizjet, migrimet, et”, thuhet në përgjigjën e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat