VV: Jemi për energji alternative, por jo duke shkatërruar natyrën

Kosova

VV: Jemi për energji alternative, por jo duke shkatërruar natyrën

Më: 24 shkurt 2019 Në ora: 14:03
Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se mbështet protestën e qytetarëve të Pejës dhe i bën thirrje të gjithë qytetarëve të kësaj komune që të bashkohen kundër shkatërrimit të Lumbardhit dhe bukurive natyrore të Pejës.

VV ka mbajtur një konferencë në Pejë mbi ndërtimin e HEC-eve në Lumbardh, ku iu është bërë thirrje institucioneve përkatëse nga ministria deri te inspektorati mjedisor që të pezullojnë çdo aktivitet të lidhur me avancimin e këtij projekti.

Në konferencë folën nënkryetarja Fatmire Mullhaxha Kollçaku dhe anëtari i kryesisë në Pejë Taulant Kelmendi, sipas të cilëve komisioni ndërministror për investime strategjike ka riaktualizuar projektin për ndërtimin e HEC-eve në Lumbardh.

“Një projekt i cili nuk i plotëson kushtet mjedisore dhe është shkatërrues për ambientin tashmë cilësohet si investim strategjik. Ky vendim është marrë në kundërshtim me planin zhvillimor komunal, i cili i ndalon ndërtimet e HEC-eve në zonë, pikërisht nga degradimi që ka ndodhur në komunën e Deçanit nga i njëjti investitor. Më parë, edhe Ministria e Ambientit e ka dekurajuar ndërtimin në këtë zonë. Projekti ka filluar në 18 tetor 2013 në një marrëveshje mes komunës dhe kompanisë Kelpkos për ndërtimin e pesë hidrocentraleve në fshatrat e Rugovës për rreth 120 milion euro. Ndërsa vetë kompania në regjistrimin e saj figuron me vetëm një punëtor dhe një mijë euro kapital. Plani zhvillimor komunal e ka ndaluar projektin deri në vitin 2016 kur zyra e rregullatorit të energjisë ka pranuar kërkesën e kompanisë për gjenerimin e energjisë. Synimi i kompanisë dhe i bashkëpunëtorëve të tyre në institucionet përkatëse p ublike është që projekti të kalojë heshturazi, pa kundërshti dhe pa njoftimin e qytetarëve. Këtë gjë nuk po e lejojnë qytetarët e Pejës të cilët ditën e nesërme organizojnë një protestë kundër këtij projekti. Ne jemi për energji alternative, por jo në kurriz të shkatërrimit të natyrës. Prandaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! e mbështet protestën e qytetarëve të Pejës, i bashkohet asaj dhe i bën thirrje të gjithë qytetarëve të Pejës që të bëhemi bashkë kundër shkatërrimit të Lumbardhit dhe bukurive natyrore të Pejës. I bëjmë thirrje institucioneve përkatëse nga ministria deri te inspektorati mjedisor që të pezullojnë çdo aktivitet të lidhur me avancimin e këtij projekti”, kanë thënë ata.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat