Gashi: Deri në qershor, Istogu do të bëhet me palestër

Kosova

Gashi: Deri në qershor, Istogu do të bëhet me palestër

Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 13:54
Kujtim Gashi

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi është zotuar sot në Istog se brenda 5 muajsh ky qytet do të ketë palestrën sportive.

Këtë premtim Gashi e bëri gjatë vizitës në Palestrën Sportive në Istog, ku po zhvilloheshin punimet për përgatitjen e kësaj qendre.

I pyetur për stërzgjatjen e projekteve për palestrën sportive në Istog, Gashi tha se tashmë ka ardhur koha të ndërpritet drama e shkaktuar deri më tash, duke përfunduar një palestër e jashtëzakonshme në të cilën do të ushtrojnë edhe hendbollistët e Istogut të cikët kanë hyrë në gjashtëmbëdhjetëshën e parë në Evropë.

Gashi: Vonesa e përfundimit të palestrës, dramë e paarsyeshme

"Janë pikërisht këto projekte që nuk janë përfundu dhe kanë stërgjatë shumë, që ka 13 vite që ka fillu. Një dramë e paarsyeshme që ky projekt nuk ka përfunduar për sportistët e sportdashësit dhe hendbollistët e Istogut që kanë tregu sukses të jashtëzakonshëm. Zotohem që ky projekt do përfundojë në gjashtë mujorin e parë të vitit 2019. Mjetet financiare tashmë i kemi të gjitha të siguruara. Kërkova nga kompania që në qershor ta dorëzoj palestrën dhe ne të ia dorëzojmë komunës dhe sportdashësve. Është investim kryekëput i MKRS dhe besoj se do jemi të vendosur që për këto 5 muaj që kanë mbet këtë palestër të ia dorëzojmë Komunës së Istogut", tha ai.

Ai bëri të ditur se gjatë këtij viti do të përfundojnë të gjitha projektet e filluara tash e sa vite për palestrat sportive. Ai tregoi se tashmë ka përfunduar palestra e Shtimes dhe Rahovecit, ndërsa palestra e Istogut do të jetë projekti i radhës që do të përfundojë brenda këtij viti.

Gashi shprehu mbështetjen e tij për hendbollistët e Istogut, derisa shtoi se janë duke ndihmuar të gjitha klubet që kanë treguar suksese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat