Vetëvendosje: Tarifa me Serbinë nuk po zbatohet plotësisht

Kosova

Vetëvendosje: Tarifa me Serbinë nuk po zbatohet plotësisht

Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 15:30
Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje ka ngritur shqetësime se tarifa e vendosur ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk është duke u zbatuar në tërësi.

Përmes një konference për media ky subjekt politik ka thënë se përgjegjës për lejimin e kontrabandës me këto mallra janë Ministria e Financave dhe institucionet në varësi si Dogana dhe Anti-kontrabanda si dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Policia e Kosovës.

Anëtari i Vetëvendosjes, Salih Zyba tha se në treg janë duke u vërejtur manipulime të shumta duke përdorur flamujt e vendosur pranë produkteve.

“Ka manovra të shumta me flamuj që janë të vendosur e nuk po përkojnë me vendet e origjinës siç e kërkon udhëzimi administrativ”, deklaroi Zyba.

Sipas Vetëvendosjes të dhënat e Doganës së Kosovës për importin, janë në mospërputhje me produktet që gjenden në treg.

Por pretendimet se në treg po qarkullojnë mallra të kontrabanduar nga Serbia i ka kundërshtuar Qeveria e Kosovës. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, të shtunën, ka konfirmuar se në tregun vendor nuk ka produkte të Serbisë që mund të konsiderohen si mall i kontrabanduar apo mall që nuk ka kaluar të gjitha procedurat e rregullta doganore.

Në tregun e Kosovës nuk gjenden mallra të “kamufluara” nga Serbia

“Deri më tash, përkundër inspektimeve të shpeshta në tregun e Republikës se Kosovës nuk është gjetur mall i cili mund të konsiderohet mall i kontrabanduar”, ka thënë Shala.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina është në fuqi që nga 21 nëntor i vitit të kaluar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës që ta heqë këtë masë, duke thënë se ajo nuk përkon me interesat amerikane, pasi që si e tillë ka efekt negativ në vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat