Ministri Shala mbështet industrinë e ndërtimit

Kosova

Ministri Shala mbështet industrinë e ndërtimit

Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 13:57
Ministri Shala mbështet industrinë e ndërtimit

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, deklaroi sot në Konferencën informuese për legjislacionin e produkteve të ndërtimit, se pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociim dhe hyrjes në fuqi janë hapur rrugë që prodhimet e Republikës së Kosovës të plasohen në tregun evropian.

Ai tha se ministria që ai drejton është e përkushtuar të rrisë mbështetjen për industrinë e ndërtimit dhe mbështetjen e prodhuesve për certifikimin e produkteve të tyre me skema të veçanta të subvencioneve përmes KIESA-s, në mënyrë që të rritet konkurrenca për t’iu qasur tregjeve të jashtme që ta përmirësojmë bilancin tregtar.

“Po ashtu edhe ngritja dhe funksionalizimi i shtyllave të infrastrukturës së cilësisë janë kërkesa të rëndësishme që dalin nga MSA, ku Kosova duhet t’i marrë masat e nevojshme në mënyrë që gradualisht të arrijë përputhshmërinë me legjislacionin e BE-së”, u shpreh ministri Shala.

Ai ritheksoi se miratimi i Ligjit për Produktet e Ndërtimit, i  miratuar në nëntor të vitit 2018, do të ndihmojë në rregullimin e shtyllave të infrastrukturës së cilësisë në fushën e ndërtimit.

Ndryshe, MTI ka ndryshuar së fundmi kornizën ligjore për vlerësim të konformitetit, standardizim, akreditim dhe metrologji, dhe njëkohësisht ka përafruar legjislacionin sektorial për fushat që janë kompetencë e saj, duke u angazhuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe shërbimeve të shtyllave të infrastrukturës së cilësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat