Momentet kur ‘ambasadorja e Thaçit’ ishte përplasur me serbët për ta mbrojtur Haradinajn

Kosova

Momentet kur ‘ambasadorja e Thaçit’ ishte përplasur me serbët për ta mbrojtur Haradinajn

Më: 2 mars 2019 Në ora: 15:41
Vlora Çitaku

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një deklaratë nga Deçani ka sulmuar ambasadoren Vlora Çitaku, për të cilën ka thënë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ajo përfaqëson presidentin Hashim Thaçi, e jo shtetin e Kosovës. Por, duket se kryeministri Haradinaj ka harruar vlerësimin që i bëhet Çitakut si një nga ambasadoret më reprezentative të Kosovës në arenën diplomatike. Madje, në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të mbajtur në shkurt të vitit 2017, ajo kishte mbrojtur fuqishëm Haradinajn.

Kryeminstri i Kosovës, Ramush Haradinaj befasoi të gjithë sot me sulmin që ia bëri ambasadores së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitakut.

Haradinaj e quajti Çitakun ambasadore të Thaçit e jo të Kosovës.

“Ambasadorja e Kosovës, Vlora Çitaku nuk e përfaqëson Kosovën. Por e përfaqëson Hashim Thaçin atje. Nuk e përfaqëson Kosovën atje”, ka thënë Haradinaj nga Deçani.

Iu rikujtojmë tri raste kur Vlora Çitaku kishte mbrojtur zëshëm kryeministrin Haradinaj

Mbajtja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj nga autoritetet në Francë, shkaku i një fletarrestimi të Serbisë, ishte bërë temë debati në njërën nga mbledhjet e Këshillit të Sigurimit në OKB, të mbajtur në shkurt të vitit 2017.

Në atë mbledhje, Haradinaj ishte mbrojtur fuqishëm nga ambasadorja e Kosovës, në SHBA, Vlora Çitaku, e cila kishte deklaruar se Haradinaj ishte i pafajshëm dhe se po persekutohet padrejtësisht.

“Zoti Haradinaj është shpallur i pafajshëm dy herë nga Tribunali i Hagës. Kjo nuk është drejtësi, nuk është ndjekje penale, është persekutim, është përndjekje”, kishte thënë Çitaku gjatë fjalimit të saj në Këshill të Sigurimit të OKB-së.

“Ky është një akt dëshpërues i Serbisë që të kthejë historinë mbrapa”, thoshte ajo.

Në atë mbledhje, Çitaku iu ishte përgjigjur akuzave të ish-presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, i cili kishte thënë se Haradinaj po e kërcënonte Serbinë me luftë.

“Të gjitha vuajtjet që janë bërë ndaj kosovarëve, vrasjet dhe tjera nuk na kanë penguar në ndjekjen e fatit tonë. Humaniteti është i aftë për realizimin e mrekullive. Koha ka ardhur që të ecim përpara. Duke dëgjuar rrëfime të vjetra me konsum të pajustifikuar”, kishte deklaruar Çitaku në atë mbledhje të Këshillit të Sigurimit.

Edhe në mbledhjen e gushtit të vitit 2017, Çitaku ishte përplasur me shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq për Haradinajn.

Ajo iu ishte kundërpërgjigjur akuzave të Daçiqit për UÇK’në, duke thënë se Kosova është krenare me historinë e liderëve të saj.

“Jemi shumë krenarë që në politikën tonë kemi njerëz që kanë luftuar kundër Millosheviqit dhe Sheshelit, të cilët ishin kriminelët më të këqij në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Jemi krenarë për historinë e liderëve tanë”, është shprehur ajo. Sami Lushtaku dhe Ramush Haradinaj nuk kanë shkuar në Beograd për të luftuar, kanë luftuar mu para shtëpive të tyre, i mbrojtën shtëpitë e tyre, kanë luftuar në oborrin e tyre më qëllim që të mbrojnë civilët dhe çlirimin e Kosovës”, kishte thënë Çitaku.

Çitaku i kishte dalë në mbrojtje Haradinajt, edhe kur ky i fundit ishte kërcënuar nga presidenti turk, Rexhep Tayip Erdogan.

Erdogan kishte kërkuar dorëheqjen e Haradinajt lidhur me rastin e deportimit të gjashtë gylenistëve turq nga Kosova dhe i kishte kërkuar përgjegjësi për menaxhimin e kësaj situate, pas vendimit të kryeministrit për shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe shefit të AKI’së pas atij skandali.

Ajo përmes rrjetit social, “Facebook”, kishte shkruar se parlamenti dhe qytetarët e Kosovës e zgjedhin kryeministrin dhe se nuk mund të kërkojë dorëheqjen e tij askush tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat