Pensionistët të kënaqur me rritjen e pensioneve - kanë edhe vërejtje

Kosova

Pensionistët të kënaqur me rritjen e pensioneve - kanë edhe vërejtje

Më: 3 mars 2019 Në ora: 12:36
Ilustrim

Rritja e pensioneve i ka kënaqur në përgjithësi pensionistët, edhe pse përfaqësuesit e tyre kanë qëndrime të ndryshme. Përderisa drejtuesit e Lidhjes së Pensionistëve shprehen të kënaqur me vendimin e qeverisë, Sindikata e Pensionistëve shprehet e pakënaqur me shkallën e rritjes.

Pensionistët e Kosovës shprehin qëndrime të ndryshme për sa i përket rritjes së pensioneve. Sekretari i Lidhjes së Pensionistëve, Hasan Berisha, në përgjithësi shprehet i kënaqur me rritjen.

“Sigurisht që jemi të kënaqur që është bërë një rritje e cila ka qenë edhe ligjërisht e obligueshme, pasi që në Ligjin për skemat pensionale në dispozitat konkrete të tij parashihet që çdo vit qeveria është e obliguar për të bërë vlerësimin e kostos së jetesës, varësisht prej rritjes së inflacionit nëse ka pasur dhe ta bëjë përcaktimin e vlerës së pensioneve”, thotë Berisha.

Berisha shprehet posaçërisht i kënaqur pasi, siç tha, pensionet për tri vite nuk kanë qenë të rritura. Por, i pakënaqur shprehet Sylejman Meta, kryetar o Sindikatës së Pensionistëve.

“Ne jemi të pakënaqur për arsye se kjo rritje nuk është bërë në konsultim me Sindikatën e cila qe 17 vite punon në problemin e zgjidhjes sociale qysh e kanë shtetet e rajonit dhe të Europës. Dhe rritja kur të bëhet, duhet të jetë rritje në baza ligjore e cila te ne mungon. Duhet të jetë një ligj qysh e kanë shtetet e rajonit dhe të Europës, që kur të bëhet rritja bëhet në bazë të ligjit të 60% të mesatares nga rrogat civile të popullatës së atij shteti”, thotë Meta.

Meta shprehet i pakënaqur edhe për shkak të shkallës jo të barabartë të rritjes së pensioneve, pasi që pensionet bazike janë rritur për 20 për qind, kurse të kontribut-paguesve 15 për qind.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim në pjesën e dytë të muajit shkurt për rritjen e pensioneve, e cila rritje është llogaritur retroaktive nga muaji janar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat