Shoqata e Ndërtuesve të Prishtinës e kënaqur me punën e Tahirit, kritikon paraardhësit e tij

Kosova

Shoqata e Ndërtuesve të Prishtinës e kënaqur me punën e Tahirit, kritikon paraardhësit e tij

Më: 4 mars 2019 Në ora: 16:14
Adonis Tahiri

Drejtori i Inspeksionit në komunën Prishtinës, Adonis Tahiri, sot ka ndaluar punimet e një kompanie ndërtuese e cila nuk kishte rrethuar vendin ku po kryente punimet.

Teksa ka paralajmëruar se do të gjobiten të gjithë ndërtuesit që nuk sigurojnë punishtet e tyre.

Kjo ishte edhe një ndër arsyet e takimit që ai dhe Drejtori i Urbanizmit, Adrian Olluri patën me Shoqatën e Ndërtuesve të Prishtinës.

Në një konferencë të përbashkët për media, Tahiri tha se do të shtohen inspektimet në këtë fushë, e për këtë theksoi se me qëllim të parandalimit të rrezikut për qytetarët, ndërtuesit duhet të vetëdijesohen për rëndësinë që ka sigurimi i vendpunishtes.

Tahiri: Do të marrim masa ndaj të gjithë atyre që nuk sigurojnë vendpunishtet e tyre

 

“E kemi parë që po ka raste ku ka leje të ndërtimit kompania, fillon me punime, mirëpo nuk i merr të gjitha masat e sigurisë për vendpunishte dhe ka raste kur shkaktojnë rrezik për qytetarët. Sot, veç e kemi pasur një rast të tillë, tek i cili është ndaluar puna, është gjobitur dhe është urdhëruar që ta rrethojë vendpunishten. Kështu që të mos kemi gjoba të tilla, ne gjatë ditëve në vijim do t’i shtojmë inspektimet në këtë fushë dhe në secilin rast ku haset që ndërtuesi nuk e bënë sigurimin e punishtes, do të marrim masa”, theksoi Tahiri.

Njëherësh, Tahiri tregoi se çfarë biseduan në takimin e tij të parë si drejtor i Inspeksionit me Shoqatën e Ndërtuesve.

Nga aty, ai tha se procesi i legalizimit do të fillojë njëkohësisht në gjithë vendin.

Tahiri: Kemi filluar inspektimin në teren për 13 lëndë të mbetura

 

“E para ka të bëjë me ato që deri më tash janë njohur si pranime teknike, pra inspektimin final dhe certifikatën e përdorimit. Diskutuam për procedurat që janë ndjekur deri më tash, për lëndët që kanë mbetur dhe për mënyrën se si do të procedohet më tutje. Gjatë javës së kaluar kemi filluar inspektimin në teren për 13 lëndë që kanë qenë të mbetura, prej të cilave me sa e di, lënda e 7 kryhet sot dhe 6 të tjera mbesin për të premten”, tha Tahiri.

Tahiri tha se për rastet ku nuk është bërë pranimi teknik do të përpilohen raportet e inspektimit final.

Ai bëri të ditur se nga inspektimet që bëhen  në teren krahasohet gjendja me planin që ka qenë, që do të thotë se nuk matet cilësia e pllakës, e cila është përgjegjësi e inxhinierëve.

Ndërsa, Faton Hoxha, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve, tha se si shoqatë, do të inkurajojnë të gjithë ndërtuesit që t’u përmbahen rregullave në fuqi, duke përfshirë atë të sigurimit të vendpunishtes.

Ndërkaq, u shpreh se kanë kërkuar nga drejtori Adonis Tahiri që të vazhdojë punën me intensitet, teksa ka folur për raportet e shoqatës me ish-drejtorin e Inspeksionit.

Hoxha: Tahiri të vazhdojë punën me këtë intensitet, me drejtorin e mëparshëm nuk kemi pasur gjuhë të përbashkët

 

“Kërkojmë prej drejtorit që me vazhdu me këtë intensitet që ka fillu, kjo t’u u bazu në memorandumin e bashkëpunimit që kemi bërë si Odë Ekonomike me kryetarin e Prishtinës. Morëm prej drejtorit zotimin që do të intensifikohen inspektimet në teren. Mbetet me u pa. Ne si ndërtues shprehëm gatishmërinë që të jemi sa më shumë bashkëpunues në të mirën e qytetit...  Me drejtorin e kaluar nuk kemi gjetë gjuhë të përbashkët asnjëherë, kemi pasur takime, mirëpo jo të këtij niveli, mënyra e komunikimit, nuk jemi pajtuar në shumë gjëra”, tha Hoxha.

Në këtë konferencë u bë e ditur se procesi i legalizimit do të fillojë njëkohësisht në gjithë Kosovën, ku Hoxha tha se pritet që më 25 mars të hyjë në fuqi udhëzimi administrativ që do të rregulloj procedurat që rregullojnë këtë çështje.

Hoxha: Më 25 mars do të hyjë në fuqi udhëzimi administrativ

 

“Kemi influenca prej Ministrisë së Planifikimit Hapësinor se deri më 25 mars, udhëzimi administrativ do të hyjë në fuqi. E kemi mundësinë edhe ne si shoqatë me e amadamentu ose me dhënë komentet tona. Kjo e rregullon çështjen e procedurave për legalizimin e objekteve pa leje”, tha Hoxha.

Ndryshe, ky ishte takimi i parë që drejtori Adonis Tahiri ka pasur me Shoqatën e Ndërtuesve të Prishtinës që pas emërimit të tij në krye të këtij dikasteri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat