Edhe ky mars i gjen të pambrojtura kullat e Jasharëve në Prekaz

Kosova

Edhe ky mars i gjen të pambrojtura kullat e Jasharëve në Prekaz

Më: 4 mars 2019 Në ora: 20:12

Ende nuk ka filluar konservimi në kullat e Jasharëve në Prekaz, rrezikohen nga rrënimi.

Miliona vizitorë kanë ardhur në këtë vend. E ajo çfarë i shtynë ata të vijnë këtu, është historia e jashtëzakonshme e familjes Jashari.

Të prirë nga komandanti legjendar Adem Jashari, në vitin 1988 kishin nisur një luftë fisnike për çlirimin e atdheut.

Pas dy ditë luftimesh, më 5 e 6 mars të 1998-ës, pothuajse të gjithë anëtarët e familjes Jashari ranë në altarin e lirisë.

Kujtimet për luftën e asaj kohe më së miri e ruajnë këto mure të kullave të Jasharëve.

Por, sot e asaj dite asnjë intervenim nuk është bërë në mbrojtje  të këtyre objekteve me vlera historike.

E pas më shumë se 20 viteve, tashmë muret e këtyre kullave, po thuaj se janë pranë rrënimit.

Familja Jashari nuk ka komentuar gjendjen e kullave.

Të shqetësuar për këto shtëpi të rezistencës janë edhe vizitorët që vinë këtu për të nderuar veprën heroike të familjes Jashari.

Ndërkohë, Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale e pranon se gjendja e kullave aktualisht është jo e mirë.

Megjithatë ai thotë se janë duke u angazhuar që punë në këtë kompleks të fillojë sa më parë.

Meqë projekti është i ndjeshëm, Bislim Zogaj thekson se edhe qasja e tij duhet bërë në mënyrë të veçantë, për këtë arsye ai thotë se fillimi i punimeve mund të zgjasë deri në vitin e ardhshëm.

Ai tregon se janë njëzet milionë euro që do të investohen në këtë vend.

E këtu  do ketë edhe objekte përcjellëse e po ashtu edhe shtatore të komandantit Adem Jashari.

Kompleksi memorial Adem Jashari në Prekaz është njëri ndër vendet më të vizituara nga vendorët dhe të huajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat