Agim Aliu: Krenar që kombi ynë ka dhënë Adem Jasharin

Kosova

Agim Aliu: Krenar që kombi ynë ka dhënë Adem Jasharin

Më: 6 mars 2019 Në ora: 16:33
Agim Aliu

Paraditen e sotme, qindra qytetarë ishin mbledhur te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj në shënim të 21-vjetorit të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht rënies sublime të kryekomandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij.

Në nderim të sakrificës së Dëshmorëve të Kombit dhe përkujtuar ditët e 5,6 dhe 7 marsit homazhe u bënë në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj, nga kryetari i Komunës, Agim Aliu, shoqëruar nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mexhide Mjaku Topalli, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Gafurr Bytyçi, Kristina Gashi Bytyçi, si dhe përfaqësues institucional shtetëror të nivelit lokal dhe qendror, familjarë të dëshmorëve, organizata e veteranëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së.

Kryetari Aliu tha se kjo ditë, ky përvjetor është i rëndësishëm për gjithë kombin, ku nuk ka asnjë rast në historinë e luftërave në botë që një familje të sakrifikohet tërësisht për lirinë, siç është rasti me familjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij.

“Ishte Adem Jashari, ishte familja Jashari që e bën legjendën dhe prandaj ne do të duhet të ndihemi krenarë që jemi bijë të këtij kombi që ka dhënë Adem Jasharin dhe shumë heronj e dëshmorë të tjerë dhe sot përulemi me respekt dhe me nderim të madh për të gjithë ata. Sigurisht se kjo rënie sublime e heronjve tanë dhe kryekomandantit dhe legjendarit tonë, do të duhej dhe na bën më të përgjegjshëm në punët, angazhimet dhe përpjekjet tona të sotshme. Ne po e kalojmë një hark kohor tashme prej 21 vitesh por gjithmonë jemi gjeneratë me fat që i kemi takuar pikërisht kësaj kohe, kohës së ndërrimit të epokave dhe këtë epokë e ka ndërruar Adem Jashari, familja e tij dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe duhet të jemi krenarë që i takojmë kësaj kohe”, tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Në anën tjetër, me emocione për këtë ditë kujtese dhe sakrifice të Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u shpreh edhe Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Ferizaj, Gafurr Bytyçi.

Ai tha se këto ditë, janë java më madhështore e kombit shqiptar, java e Jasharëve, rënia sublime e tyre që nxiti shumë trima, djem e vajza të reja në Kosovë që të ndjekin rrugën e tij dhe për rrjedhojë të asaj rruge dhe asaj ndjeje kombëtare, ne sot gëzojmë lirinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat