Lekaj brenda një dite i çon në bastionin e AAK-së rreth 3 milionë euro

Kosova

Lekaj brenda një dite i çon në bastionin e AAK-së rreth 3 milionë euro

Më: 6 mars 2019 Në ora: 22:37
Pal Lekaj dhe Ardian Gjini

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj që është pjesë e AAK-së së Ramush Haradinajt ka vendosur që t’i çoj miliona euro të buxhetit në rrafshin e Dukagjinit, zonë kjo nga vjen vetë Haradinaj.

Ministri Lekaj gjatë ditës së mërkurë ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kryetarët e komunave të Gjakovës, Deçanit dhe Pejës.

Siç është bërë e ditur, Komuna e Gjakovës nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT), për vitin 2019-të, përfiton 11 projekte në vlerë prej 1.081.665.00 euro, për këtë vit.

Komuna e Deçanit 4 projekte në vlerë prej 650.00,00 euro, kurse ajo e Pejës 8 projekte, në vlerë prej 1.120.000,00 euro.

Ministri i Lekaj, të mërkurën ka pritur në takime të ndara kryetarët e këtyre komunave, me çrast ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me ta për projektet infrastrukturore të komunave të tyre.

“Këto marrëveshje janë vazhdimësi e mbështetjes së MIT-së për komunat, sikurse vitin e kaluar, kur dihet se kapacitetet buxhetore të komunave janë të vogla dhe nuk mund t’i përcjellin trendet e zhvillimit infrastrukturor në vend”, ka njoftuar MIT.

Mbështetja financiare e MIT-së për këto komuna rrjedh nga alokimi buxhetor për vitin 2019-të i kësaj ministrie, të dedikuara për mbështetje të projekteve infrastrukturore në të gjitha komunat e Kosovës.

I pari i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj tha se mbështetja e tij dhe dikasterit që ai drejton për komunat nuk do të mungojë edhe në të ardhmen.

Lekaj shtoi se investimet në infrastrukturë, janë investime për qytetarët dhe lëvizjen e lirë të tyre dhe mallrave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat