Përfshihen nga zjarri pyjet në disa zona të komunës së Podujevës

Kosova

Përfshihen nga zjarri pyjet në disa zona të komunës së Podujevës

Më: 8 mars 2019 Në ora: 16:03
Podujevë

Komuna e Podujevës ka bërë të ditur se gjatë dy ditëve të fundit disa sipërfaqe me pyje në Komunën e Podujevës janë përfshirë nga zjarri, kurse zjarrfikësit dhe ekipet e emergjente të Komunës janë vazhdimisht në teren, duke u angazhuar për shuarjen e zjarreve.

Kështu, siç është thënë më tej, kryetari i Komunës, Agim Veliu, ka apeluar te qytetarët që të angazhohen në ruajtjen dhe mbrojtjen e pyjeve.

“Disa sipërfaqe me pyje në disa fshatra të Komunës së Podujevës nga e enjtja janë përfshirë nga zjarret. Situatë më e rëndë paraqitet në pyjet e fshatrave Popovë, Llapashticë dhe Bradash, ku ekipet e zjarrfikësve janë duke bërë përpjekje maksimale për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit”, thuhet në njoftim.

Lidhur me gjendjen e krijuar ka reaguar Kryetari i Komunës, Agim Veliu, duke thënë se ekipet emergjente komunale gjatë gjithë kohës janë në teren.

“Apeloj te qytetarët që të jenë më të kujdesshëm dhe të kontribuojnë në ruajtjen dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private”, ka thënë kryetari Veliu.

Po ashtu, bëhet e ditur se në zonat ku kanë shpërthyer zjarret në teren kanë dalë edhe zyrtarët e Komunës, drejtori i Shërbimeve, Publike Mbrojtje dhe Shpëtimi, Faik Muçiqi dhe Drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi.

Megjithatë, drejtori Muçiqi tha se përkundër angazhimit të vazhdueshëm të Brigadës së Zjarrfikësve, lokalizimin e zjarrit po e vështirëson era e fortë që po frynë, e cila i ndihmon përhapjes së zjarrit.

Në njoftim thuhet se në ndihmë Shërbimit të Zjarrfikësve të Podujevës i ka ardhur edhe ekipi prej 15 zjarrfikësve nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës.

“Ndonëse sipërfaqet e përfshira nga zjarri janë të mëdha, ato nuk rrezikojnë zonat e banuara të atyre fshatrave”, përfundohet në njoftimin e Zyrës për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim në Komunën e Podujevës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat