Burra të fjalës e jo të besës, kuota gjinore përtokë në komunat e Kosovës

Kosova

Burra të fjalës e jo të besës, kuota gjinore përtokë në komunat e Kosovës

Më: 9 mars 2019 Në ora: 21:30
Foto ilustrim

Para zgjedhjeve të vitit 2017, kandidatët për kryetarë të komunave në Kosovë patën premtuar se do të krijojnë hapësira për gratë në drejtoritë udhëheqëse të komunës.

Por, sa është realizuar ky premtim?

Shumë nga kandidatët për kryetar komune patën premtuar se pozitat në drejtoritë përkatëse do të ndahen me përqindje të barabartë mes burrave dhe grave, por kjo nuk ndodhi.

Madje, disa prej tyre, kishin thënë se do të ketë më shumë gra sesa burra në udhëheqje, e kështu ka ndodhur vetëm me Drenasin e Kamenicën

Në Drenas, nga 12 drejtori sa janë gjithsej, 7 udhëhiqen nga gratë ndërsa 5 nga burrat, ndërsa në Komunën e Kamenicës nga 11 drejtori, 6 prej tyre udhëhiqen nga gratë.

E kështu nuk është në 7 qendrat e mëdha të Kosovës.

Komuna e Prishtinës ka gjithsej 16 drejtori dhe vetëm një e katërta e tyre udhëhiqen nga gratë.

Në postin e drejtoreshës së parqeve në Komunën e Prishtinës është Fatime Hajdari, në atë të Financave është Valbona Makolli, në postin e drejtoreshës së Arsimit qëndron Shpresa Shala, ndërkaq dikasterin e Kadastrit e udhëheq Valbona Osmani.

Megjithatë, numri prej 4 drejtoreshave në komunën e Prishtinës, as nuk i afrohet premtimit që e pati bërë kryetari Shpend Ahmeti para zgjedhjeve.

Më mirë në këtë drejtim nuk qëndron as Mitrovica.

Në këtë komunë që udhëhiqet nga Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit, nga 14 drejtori sa janë, vetëm 2 udhëhiqen nga gratë.

Nazan Kërveshi udhëheq drejtorinë e Integrimeve Evropiane dhe Mirëqenies Sociale, ndërsa Erseka Hasanaj udhëheq me Drejtorinë për Shëndetësi.

Kryetari i tanishëm i Mitrovicës, Agim Bahtiri para zgjedhjeve të vitit 2017 kishte premtuar inkuadrim të barabartë të femrave me meshkujt në udhëheqje të komunës.

Njëlloj edhe në komunën e Gjakovës, kryetari Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka angazhuar vetëm tri gra si drejtoresha në dikasteret e komunës, e që në tërësi janë 12 sosh.

Afërdita Lama udhëheq drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, ndërsa Saranda Hyseni udhëheq drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport e Adelina Shehu –Kola udhëheq drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Dhe kjo e përkthyer në përqindje është vetëm 25 për qind e drejtorive të Gjakovës udhëhiqen nga gratë, që nuk dallon shumë me të gjitha qendrat tjera të mëdha.

Komuna e Ferizajt në anën tjetër, nga 14 drejtori sa ka kjo komunë në total, vetëm 3 prej tyre udhëhiqen nga gratë.

Aurora Ramadani në drejtorinë e Administratës, Sebahate Ajeti – Sadiku në drejtorinë e Financave, ndërsa Xhemile Murati – Shabani, me drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë gratë që udhëheqin drejtori në Komunën e drejtuar nga Agim Aliu i PDK-së.

Hic më mirë nuk qëndron as komuna e Lutfi Hazirit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Komuna e Gjilanit nga 12 drejtori sa ka në tërësi, vetëm 2 prej tyre i ka ndarë për gratë.

Valbona Tahiri udhëheq me drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik, ndërsa Shpresa Hajdari me drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport e kjo as nuk i afrohet premtimeve parazgjedhore, duke marrë parasysh që vetëm një e gjashta e drejtorive udhëhiqen nga gratë në këtë komunë.

Komuna tjetër që udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ajo e Pejës është ndër komunat me disbalancin më të madh sa i përket barazisë gjinore në udhëheqje.

Në këtë komunë, nga 16 drejtori, vetëm 2 udhëhiqen nga gratë.

Xhevahire Çeku – Kelmendi në drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Suzana Muriqi në drejtorinë e Integrimeve Evropiane janë dy gratë e vetme që kanë poste udhëheqëse në dikasteret e Komunës.

E kur flasim për mos-përmbushje të premtimeve parazgjedhore për barazi gjinore në udhëheqje të komunave, atëherë kryeson Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes që udhëheq me Prizrenin.

Sevil Kazaz që udhëheq drejtorinë e Tregtisë dhe Zhvillimit Ekonomik është e vetmja femër që udhëheq ndonjë dikaster të kësaj komune.

Kandidatët për kryetarë komunash nuk i kanë mbajtur aspak premtimet sa i përket respektimit të kuotës gjinore për emërimin e grave në poste udhëheqëse.

Në asnjërën nga shtatë qendrat e mëdha të Kosovës, përveç që nuk është plotësuar 50 përqindëshi, as nuk është shkuar afër kësaj shifre.

Ndërkaq, lajmi ka kontaktuar me deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, Blerta Deliu – Kodra e cila është shprehur se ligji për përfaqësim të barabartë gjinorë nuk është implementuar në shumicën e komunave.

“Ju e dini se para disa kohe Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin që garanton barazinë gjinore që garanton 50 – 50 përfaqësim në institucione. Por, ky ligj, nuk është implementuar ende në shumicën e komunave të Kosovës, në fakt janë vetëm 2 komuna që e kanë zbatuar ligjin që janë Komuna e Drenasit dhe e Kamenicës”, tha Deliu- Kodra.

Ajo është shprehur se nuk është arritur që komunat tjera të kenë implementim të plotë.

“Por, nuk është që në Komuna tjera ka arritur që të ketë implementim të plotë. Komuna e Shtimes së fundmi ka emëruar në grua në Drejtorinë e Administratës që është një lajm i mirë për zbatimin e këtij ligji”, tha Deliu – Kodra.

Deliu – Kodra ka shpjeguar se pse ka ndodhur që nuk është implementuar ky ligj plotësisht, ndërsa në anën tjetër ajo ka bërë thirrje që të përfshihen gratë edhe në nivele tjera të udhëheqjes së komunave.

“Sa i përket premtimeve të kandidatëve për kryetarë komunash sigurisht që duhet të mbaheshin, por ju e dini se në shumicën e komunave kanë ndodhur koalicione, do të thotë, koalicione zgjedhore që e kanë pamundësuar përfaqësimin zgjedhor, por kjo nuk duhet të jetë brengë e vetme sepse në përjashtim të drejtorive komunat duhet të kenë parasysh ta zbatojnë ligjin edhe në nivele tjera që gratë të kenë përfshirje edhe në nivele tjera të udhëheqjes së komunave që të përmbushet ky ligj”, ka thënë në fund Deliu – Kodra.

Ndërsa vlen të theksohet se shembull, Komuna e Dragashit është komuna e cila nuk ka asnjë grua në pozitë udhëheqëse të ndonjë drejtorie.

Ligji për barazi gjinore në përfaqësim ende nuk po gjen zbatim në shumicën e institucioneve të vendit ani pse në Kuvendin e Kosovës ky ligj është miratuar me shumicë votash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat