Neglizhenca ndaj romëve në Kosovë, OKB kritikohet nga eksperti i saj i të Drejtave të Njeriut

Kosova

Neglizhenca ndaj romëve në Kosovë, OKB kritikohet nga eksperti i saj i të Drejtave të Njeriut

Më: 13 mars 2019 Në ora: 23:26
Ilustrim

Një ekspert i të Drejtave të Njeriut, ka kritikuar ashpër Kombet e Bashkuara për shkak të dështimit që të kompensojë qindra familje rome që ishin detyruar të jetonin për shumë vjet të ekspozuar ndaj mbetjeve toksike në Kosovë, e që iu shkaktoi paaftësi e ndoshta edhe vdekje.

Përjetimet nga rreth 600 familje rome “kërkojnë kompensim individual dhe një kërkimfalje publike nga Kombet e Bashkuara”, ka thënë Baskut Tuncak, një ekspert i Kombeve të Bashkuara për monitorim të rasteve që lidhen me substanca të rrezikshme.

Në një deklaratë të lëshuar ai ka thënë se është tejet i zhgënjyer nga neglizhenca që Kombet e Bashkuara treguan lidhur me rastin, për të cilin ai ka thënë se e ka vënë në pah integritetin e organizatës.

Lidhur me këtë çështje ende nuk ka pasur përgjigje të menjëhershme nga Departamenti për operimet paqeruajtëse të OKB-së apo zyrave tjera.

Familjet rome në Kosovë, siç shkruan reliefweb.int ishin detyruar më 1999 të jetonin në kampe të OKB-së një vit pasi shpërtheu lufta. Kampet ishin krijuar në hapësira të prekura nga mbeturinat e një fabrike të shkrirjes së plumbit.

Sipas Tuncakut, fëmijët nën 14 vjeç përbëjnë gati gjysmën e popullatës në kampe.

Tuncak pohon se këto familje janë ankuar për shumë vjet për mbetjet toksike për shkak se u kishin shkaktuar paaftësi dhe me mundësi edhe sëmundje fatale.

Kritikat e Tuncakut erdhën tre vjet pasi një panel i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut rishikoi rastin dhe gjeti se Misioni i OKB-së në Kosovë kishte neglizhuar rastin.

Paneli kishte vendosur në një raport të vitit 2016 se UNMIK-u ishte përgjegjës për ndikimet në zhvillimin e njerëzve që ishin lindur dhe rritur nëpër kampe.

UNMIK-u kishte marrë veprime për të mbrojtur paqeruajtësit e OKB-së nga ekspozimi ndaj mbeturinave të pluhurit në vitin 2000, por s’kishte bërë asgjë për familjet rome në kampe deri më 2006, ka thënë Tuncak të mërkurën.

Ndotjet besohet se kanë çuar deri në vdekjen e disa fëmijëve dhe të rriturve derisa sipas Tuncakut, edhe banorë të tjerë akoma kanë probleme shëndetësore.

Një vit pas raportit të panelit, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, kishte shprehur “keqardhjen e thellë” për vuajtjet e familjeve, por ishte ndalur te kompensimi.

Në një përgjigje për kritikat e panelit, Kombet e Bashkuara kishin thënë se do të krijojnë një fond për projekte për të ndihmuar familjet rome dhe të tjerët që jetojnë në kampe.

Po ashtu ishte thënë se do të thërrasë kontribute nga donatorë ndërkombëtarë, duke shprehur shpresën se mund të arrijë shifrën deri pesë milionë dollarë.

Fondi ishte nisur më 2017 dhe s’ka marrë asnjë dhurim, sipas Tuncakut. Ai ka kritikuar fondin për të cilin tha se nuk ofron drejtësinë e duhur.

”Integriteti i OKB është në pyetje. Duhet të reformohet përpjekja e vet dhe të mobilizohet në nevojën për të implementuar rekomandimet e panelit këshillues pa ndonjë vonesë shtesë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat