Mjekë nga Italia kryejnë operacione kardiokirurgjike në QKUK

Kosova

Mjekë nga Italia kryejnë operacione kardiokirurgjike në QKUK

Më: 14 mars 2019 Në ora: 14:24
Foto ilustrim

Një ekip i mjekëve nga Italia, të udhëhequr nga dr. Carlo Barzaghi dhe dr, Maurizio Levantino, nga Spitali i Toskanas në Itali, po operojnë pacientët në QKUK.

Mjekët italian deri më tani kanë operuar 4 pacientë me probleme kardiokirurgjike dhe gjatë gjithë kohës po asistohen edhe nga mjekët kardiokirurgë nga Kosova, njofton SHSKUK.

Gjatë vizitës  që bëri në Shërbimin e Kardiokirurgjisë, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, dr. Basri Sejdiu, tha se  ky bashkëpunim me mjekët italianë po bëhet në kuadër të ngritjes profesionale të stafit dhe  është një ndihmesë e madhe për institucionin,  kur kardiokirurgë ndërkombëtarë operojnë në Qendrën Klinike Universitare.

Drejtori Sejdiu lavdëroi edhe kardiokirurgët  e QKUK-së, të cilët, sipas tij, janë duke e kryer punën mjaft mirë, përderisa ky bashkëpunim me mjekët e huaj   bën që të kryhen edhe operacionet më të komplikuara.

Dr. Maurizio Levantino,  nga ekipi i mjekëve italianë, tha se në Kosovë kanë ardhur me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe regjionit të Toskanës. Dr. Levantino,  tregoi se deri tani kanë kryer 4 operacione të hapura në zemër, në bashkëpunim edhe me ekipin e mjekëve kardiokirurgë nga Kosova.  Sipas tij, Kosova ka mjekë të mirë që kanë dëshmuar profesionalizmin edhe gjatë punës në operacione.

Me datën 17 të këtij muaji pritet që një ekip tjetër i mjekëve nga Italia të vijë në Kosovë për të operuar fëmijët që kanë probleme me zemër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat